Komuniteti shqiptar në Miçigan u takuan me diplomatin Richard Grenell, i cili shpalosi vizionin e administratës Trump për katërvjeçarin e ardhshëm.
Takimi u mbajt ditën e martë, më 20 tetor 2020, ne qytetin e Bloomfielld Hills dhe pjesë e takimit ishin edhe kandidatët republikanë, që garojnë për në Kongres dhe në nivele të tjera të pushtetit.
Ambasadori Grenell shprehu falenderimet për angazhimin dhe punën e madhe që kanë bërë përfaqësuesit e komuniteteve shqiptare duke theksuar se votuesit shqiptarë duhet të votojnë presidentin Trump.
Grenell u përqendrua tek qasja e presidentit Trump dhe administrata e tij për bisedimet Kosovë-Serbi. Sipas Grenell, administrata Trump mendon se fillimisht duhen arritur marrëveshjet ekonomike, në mënyrë që të eliminohen të gjitha pengesat dhe të krijohet ambient i përshtatshëm, për tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve.
“Kjo do ta bëjë më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, deklaroi Grenell.
Ndërkohë përfaqësuesi i komunitetit shqiptar Ruzhdi Gjoka foli për angazhimin e madh të shqiptarëve republikanë për të ndihmuar Presidentin Trump, në këto zgjedhje. Ai falënderoi Presidentin dhe ambasadorin Grenell për angazhimin e tyre në bisedimet, Kosovë-Serbi dhe sidomos për ndihmën që dhanë ne krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Gjokaj njoftoi se kërkesat e komunitetit shqiptar për bisedimet Kosovë-Serbi i ishin dorëzuar me shkrim ambasadorit Grenell.
Në shtete të caktuara shqiptaro-amerikanët mund të ndikojnë tek rezultati i votimeve, edhe pse ata nuk paraqiten si një bllok i vetëm në favor të një kandidati të caktuar.
Të dy kandidatët janë angazhuar personalisht në çështje që lidhen me shqiptarët, Presidenti Donald Trump duke sjellë në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden duke u kujtuar atyre se ka një vizion pro Shqipërisë dhe Kosovës.
Për republikanët e Miçiganit, rizgjedhja e zotit Trump është pozitive për Ballkanin, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
Këtë muaj, një grup aktivistësh të njohur shqiptaro-amerikanë në SHBA u bashkuan për të mbështetur publikisht kandidatin demokrat Joe Biden për President. Disa prej tyre janë të angazhuar në fushatë, të tjerë kanë dekada punë patriotike në këtë komunitet, e disa i përkasin një brezi më të ri, të rritur e arsimuar në SHBA.
Të gjitha grupet e shqiptaro-amerikanët, qoftë pro Biden ose pro Trump janë përqendruar në shtete të tilla si Miçigani, që mund të jenë vendimtare për zgjedhjet. Komuniteti shqiptar është i vogël, por për shkak të shpërndarjes gjeografike ka vota në shtete kyçe, aty ku përcaktohet rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane.