Bota Familja rreh dhe qeth vajzën sepse dashuronte një serb

Familja rreh dhe qeth vajzën sepse dashuronte një serb

Autoritetet franceze kanë dëbuar një familje nga Bosnja dhe Hercegovina pasi ata kishin rrahur vajzën e tyre dhe ia kishin qethur flokët vetëm për shkak të vendimit të saj, që të martohej me një serb. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Brendshme Franceze, njoftoi Reuters.

Në komunikatën e ministrisë thuhet se pesë anëtarë të familjes së vajzës, të cilët jetonin në qytetin lindor të Besancon, u deportuan në Sarajevë këtë mëngjes, më 24 tetor.

“Ky dëbim nga territori kombëtar është pasojë e sjelljes së papranueshme të familjes në gusht të këtij viti, përkatësisht rrahjes dhe rruajtjes së flokëve të një vajze që ishte e dashuruar me një të ri serb, një person i një feje tjetër”, sqaroj ministria.

Deklarata shton se vajza e mitur do të mbetet nën përkujdesje të shërbimit social dhe pasi të mbushë moshën madhore, ajo do të fitojë të drejtën e qëndrimit në Francë.

Mediat franceze njoftuan në gusht të këtij viti se familja boshnjake Zairoviç kishte rrahur një vajzë myslimane 17-vjeçare nga Bosnja dhe Hercegovina dhe ia kishte rruar flokët vetëm sepse ajo dëshironte të martohej me një serb 20-vjeçar./REL