Ekzistojnë të gjitha arsyet për respektin e ndërsjellë mes Athinës dhe Tiranës, deklaroi sot ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, sipas faqes së Ministrisë së Jashtme greke.
“Së pari, dua të theksoj se, ashtu si me marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, edhe në rastin e Shqipërisë, Greqia po provon në praktikë se ajo mund t’i zgjidhë problemet përmes zbatimit të ligjit ndërkombëtar, dialogut konstruktiv dhe parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve”, deklaroi Dendias.
“Me fjalë të tjera, ajo e di mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve mes vendeve dhe e ndjek atë edhe në rastin e Shqipërisë, që po punon për t’u bërë anëtare e familjes europiane. Ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku dhe për ta çuar çështjen e demarkacionit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pas përfundimit të procesit të shtrirjes së ujërave territoriale të të dy vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar të Detit”, theksoi ai.
“Për sa kohë ka vullnet, besoj se procesi nuk do të jetë problem. Zgjidhja e kësaj çështjeje do të jetë e dobishme për të dy vendet. Janë pra, të gjitha arsyet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dy palët gjatë vizitës sime të fundit, dhe për të forcuar agjendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në këtë drejtim”, shtoi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, sipas faqes së Ministrisë së Jashtme greke.