Kryesore Java që shënoi rekorde rastesh të reja në Shqipëri

Java që shënoi rekorde rastesh të reja në Shqipëri

Java e tretë e tetorit shënoi një rekord të rasteve të reja me Covid-19. Numri i personave që rezultuan pozitiv me koronavirus thuajse është dyfishuar krahasuar me vetëm një javë më parë.

Në 11 tetor u shënuan 168 të infektuar ditor, ndërsa me datë 23 tetor numri i tyre arriti maksimumin me 306 persona. Java e dytë e tetorit shënoi një mesatare infektimesh prej 220 qytetarësh, ndërsa java e tretë arriti në 299 qytetarë.

Numri i rasteve aktive tashmë i ka  kaluar 8 mijë persona, ku nga këta mbi 4 100 janë raste në Tiranë. Prej datës 19 tetor, vendi ynë ka qenë në kufijtë e 300 rasteve çdo ditë, duke bërë që në një javë të kemi mbi 2 mijë raste të reja me koronavirus.

Ajo që konsiderohet si vala e dytë e koronavirusit në Shqipëri është shoqëruar edhe më një rritje të numrit të personave të hospitalizuar. Në të dy spitalet Covid në kryeqytet janë trajtuar përgjatë kësaj jave një mesatare prej 258 pacientësh.

Po në një kohë që numri i shtrimeve mbetet i lartë, numri i personave në terapi intensive është ulur. Në datë 18 tetor ishin 25 pacientë nën kujdesin intensiv të mjekëve, ndërkohë që në datë 24 tetor vetëm 11 pacientë patën nevojën e një trajtimi të tillë.

Ndërsa 25 persona përgjatë kësaj jave nuk ia dolën të mundnin Covid-19.