Katër fëmijët shqiptarë dhe gruaja e plagosur që u nxorën nga kampi Al-Hol në Siri, mbërritën në Shqipëri sot rreth orës 13:30. Në të njëjtin avion me ta udhëtonte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili kishte shkuar në Liban ku u takua me Gjeneralin Abass për të ndjekur operacionin e shpëtimit të këtyre fëmijëve.
Nga aeroporti i Rinasit, përmes një konference të shkurtër për shtyp, Kryeministri Rama tha se tashmë është krijuar infrastruktura e duhur për të realizuar edhe operacione të tjera për të nxjerrë nga kampi fëmijët shqiptarë.
“Më vjen mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Tani më kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që do të kthejmë edhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri. Me gjithë respektin pr punën tuaj, nuk kemi pritur t’i gjejmë lokacionet nga lajmet. Ka një vit që ne punojmë me struktura të specializuara në ato territore. S’kemi patur problemin e gjetjes së lokacioneve. Bëhet fjalë për operacione komplekse. Bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti në moment për njerëzit. Drejtori i Antiterrorit ka qenë vetë në territor për 4 javë. Nuk ka dyshim që nxjerrja e këtyre fëmijëve nga një ferr është një proces shumë i komplikuar, janë në mes edhe prindërit që mbeten në pozicionet e tyre të radikalizuara. Puna e bërë brenda në kamp ka qenë intensive nga struktura që ka hyrë atje me prezencën e drejtorit tonë të Antiterrorit. E gjithë kjo është mundësuar falë strukturës së drejtuar nga Gjenerali Abass Ibrahim në Liban. Edhe disa fëmijë janë në vështirësitë e tyre, por nuk dua të jap detaje”.
I pyetur nëse të rriturit që do të kthehen nga ky kamp, do të përballen me ligjin shqiptar për veprën e terrorizmit, Rama u shpreh se rastet janë individuale.
“Nuk diskutohet që kush ka bërë krime, do t’i nënshtrohet drejtësisë. Rastet janë individuale dhe janë organet e tjera që kanë kompetencën të japin opinione dhe të ndjekin rrugët ligjore”, tha Rama.