Sport Historia e Marash Kumbullës, një shembull për talentet shqiptare

Historia e Marash Kumbullës, një shembull për talentet shqiptare

Më 8 shkurt të vitit 2000, në një kohë kur Shqipëria po provonte të ngjiste shkallët në futboll, në një tranzicion që ishte në rrugë e sipër në çdo fushë të jetës, në Peschiera del Garda, dy prindër nga Shkodra, të emigruar në Itali, do të sillnin në jetë një fëmijë dhe do t’i vendosnin emrin Marash.

Ashtu si ishin rritur, pranë Liqenit të Shkodrës, aty vendosën të vijonin jetën edhe në Itali, pranë liqenit me emrin “Garda”. Aty nisi pasioni i Marash Kumbullës për sportin më të dashur në botë dhe duke qenë se jetonte në Veneto, menjëherë u lidh me klubin e Veronës, duke luajtur në të gjitha skuadrat zinxhir, derisa erdhi debutimi në Serinë A më datë 25 gusht të 2019-ës, në një takim përballë Bolonjës.

Nga ai çast, nis historia e përrallave për 20-vjeçarin shqiptar. Italia e kërkonte, por zgjodhi kuqezinjtë, dhe pas një sezoni për t’u vendosur në kornizë me Veronën, u shndërrua në futbollistin e Kombëtares Shqiptare më të shtrenjtë në historinë.

13.5 milionë euro, plus 3.5 bonuse dhe kartonët e dy lojtarëve të rinj për ta rritur gjithsej në 25 milionë euro shifrën e operacionit: kaq pagoi Roma për ta marrë dhe ecuria po i jep të drejtë verdhekuqve. Gjeti golin në Europë kundër Young Boys, në debutimin e tij në kompeticionet europiane dhe pak ditë më vonë në një stadium mitik si “San Siro” shënoi golin më të rëndësishëm të ndeshjes.

Roma barazoi 3-3 ndaj Milanit për meritë ekskluzive të Kumbullës, që u ndodh në vendin e duhur në çastin e duhur. Një djalosh i rritur më ëndrra të mëdha, ashtu si shumë shqiptarë që nuk ia dolën dhe tek ai shohin të pasqyruar ëndrrat e tyre.