Konsulli i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb, ka dhënë të tjera detaje rreth nxjerrjes së familjes Rasha dhe Endri Dumanit nga kampi i Al Hol.
Përmes një lidhje me Skype për emisionin “Opinion” konsulli ka treguar se cila ka qenë rruga për nxjerrjen e shqiptarëve nga Siria. Ghorayeb tha se një nga momentet më të vështira të operacionit ka qenë brenda në kamp. Ai u shpreh se të gjithë personat në kampin famëkeq janë të radikalizuar.
Si arritët t’i gjenit shqiptarët që kthyet?
Në fakt, ne po e kërkonim Endrin për rastin e tij të veçantë. Krijuam disa lidhje të veçanta brenda në kamp me policinë dhe partnerët tanë.
Ai djalë është shumë i zgjuar dhe ka për të patur një të ardhme të shkëlqyer. Brenda në kamp i kërcënonin të gjithë ata që kërkonin të dilnin jashtë. Mentaliteti i sëmurë i ISIS-it. Nuk duan të humbasin forcat që kanë brenda, një ditë Endri do të rritej dhe do ta përdornin për luftë. E mësuam djalin t’ia mbathte pa e kuptuar kush, sikur po luante derisa ai arriti tek menaxhimi, ku e kemi marrë ne dhe e larguam me roje. Kemi edhe fotografitë. U futëm sërish në kamp për të gjetur të tjerë që ia mbathnin, të gjithë, jo vetëm shqiptarë, sepse kishin marrë mesazhin e gabuar që ne do t’i vrisnim. Morëm edhe mesazhin nga Eva dhe i premtuam xhaxhait të saj se do ta gjenim e do ta kthenim. Nuk mund të themi se sa shqiptarë ka në kamp, sepse kjo futet tek materiali sekret, por në lidhje me Evën, ajo kërkon të largohet, por e kërcënojnë. Mund të themi vetëm se do ta gjejmë dhe do ta kthejmë.
Cilën rrugë keni ndjekur për t’i kthyer duke e nisur nga kampi e këtej?
I kemi evakuar nga kampi, dr. Omar është këshilltar i menaxhimit të shtetit të Sirisë verilindore, i çonim në zyrën e tij bashkë me roje të sigurimit, sigurim tepër i fortë dhe më pas i kemi zhvendosur në aeroportin e Kamishlit… nën kujdesin e autoritetit sirian. Gjysmëhënën e kuqe që dua ta falenderoj. Na kishin përgatitur një avion privat nga Kamishli në Damask. Në Damask na pritën Gjysmëhena e Kuqe dhe po ashtu Shërbimi Sekret me mbështetjen, dritën jeshile të “Xhon Ten”, lejen nga dr. Bashar Asad dhe gruaja e tij Asma, i falenderoj. Na pritën me shumë ngrohtësi dhe më pas kemi shkuar në kufij bashkë me trupat, forcat e sigurimit speciale të Libanit. Libani ka luajtur një rol shume të madh në Siri.
Ju keni prekur shumë pjesë të këtij operacioni, por cili ka qenë më i vështiri?
Pjesa më e vështirë ishte në kamp, veçanërisht në “El Hell”. Sapo e perëndonte dielli, ata na sulmonin me gurë dhe njëri nga rojet u godit me një gur të madh. Ishte një ferr i vërtetë brenda në kamp. Ishte ferr, 70 mijë vetë brenda.
Keni ndonjë mesazh për ata që ndodhen akoma atje, sidomos për shqiptarët?
Të flasim hapur, ata janë radikalizuar, u kanë bërë lavazh truri. Kur i pyeti policia, disa nga femrat nuk donin të ktheheshin. Ishte shokuese vërtet. Por disa ishin shumë të zgjuara dhe pranuan t’i evakuonim fëmijët.