Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar sot formularin e vetëdeklarimit të deklarimit të pasurisë tre të dënuarve në Vlorë.
Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se Eraldo Canaj, Viktor Omeri dhe Pëllumb Sherifaj duhet të deklarojnë pasurinë në bazë të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda.
Eraldo Canaj është i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, Viktor Omeri dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe Pëllumb Sherifaj është dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
Këta persona si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.