Një kthim i mirëpritur, në një moment krejtësisht pozitiv: pas Paolo Maldinit, Milani sjell një tjetër flamur historik në klub. Franco Baresi u emërua zv.president nderi gjatë mbledhjes së aksionerëve. Njoftimi u bë direkt nga presidenti Paolo Scaroni: “Unë jam i lumtur që i komunikoj Franco Baresit tonë një rol të ri të rëndësishëm brenda klubit. Jam i kënaqur ta njoftoj në këtë datë, 28 tetor, që përkon me përvjetorin e paraqitjes së tij të fundit me fanellën kuqezi, më 1997. Kjo demonstron lidhjen e Milanit me historinë dhe rrënjët e tij, por është gjithashtu shenja e një klubi që synon të ndërtojë kushtet për një të ardhme të madhe, duke rritur traditën e tij legjendare, që Franco përfaqëson aq mirë”.
Emërimi si zv.president nderi erdhi në ditën e 23-vjetorit të ndeshjes së lamtumirës së ish-mbrojtësit historik të kuqezinjve, i cili tashmë mbante rolin e ambasadorit për Milanin në botë.
Ky është shënimi zyrtar i klubit: “AC Milan është i kënaqur të njoftojë emërimin e Franco Baresi si zv.president nderi i klubit. Franco do të vazhdojë të vërë në dispozicion të Milanit përvojën e tij të jashtëzakonshme të futbollit, pasionin dhe vizionin e tij për të ardhmen, duke ndihmuar në përhapjen e vlerave dalluese të klubit. Me të, klubi forcon reputacionin dhe ruan lidhjen emocionale me tifozët kuqezinj, si dhe tifozët e futbollit nga e gjithë bota”.