Bota Studimi: 100 mijë persona infektohen me Covid-19 çdo ditë në Angli

Studimi: 100 mijë persona infektohen me Covid-19 çdo ditë në Angli

Sipas një studimi të Kolegjit Imperial në Londër, rreth 100,000 persona infektohen nga koronavirusi çdo ditë në Angli, raporton BBC.

Autorët e studimit besojnë vendi është në një “fazë kritike” dhe se duhet bërë patjetër diçka. Qeveria britanike është duke zbatuar strategjinë e saj rajonale, mirëpo ekspertët janë duke paralajmëruar se vendi mund të arrijë nivelin e infektimeve që janë regjistruar në pranverë.

Profesori Steven Riley, një nga autorët e studimit, ka thënë se “është zhgënjyer” nga të dhënat, që sipas tij tregojnë se “masat aktuale nuk janë të mjaftueshme”.

“Duhet të ketë ndryshim, shkalla e infektimit është në rritje, në një mënyrë apo tjetër duhet të ketë ndryshime para Krishtlindjeve”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 945,378 raste me koronavirus që nga shpërthimi i pandemisë dhe 45,765 viktima.

–Numri i personave të infektuar është dyfishuar, një në çdo 78 persona rezulton pozitiv

–Zona më e goditur është Yorkshire dhe Humber, ku një në çdo 37 persona është i infektuar me koronavirus, i ndjekur nga rajoni Veri-Perëndimor

–Është trefishuar numri i personave të infektuar të grupmoshës 55-64 vjeç, krahasuar me studimin e muajit paraardhës

–Është rritur numri R – nga 1.15 në 1.56

–Numri i personave të infektuar po dyfishohet çdo nëntë ditë.