“Franca është në luftë”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, duke komentuar sulmin në bazilikën Notre Dame në Nisë, ku u vranë barbarisht tre persona. Ai shton se lufta është kundër një armiku që gjendet si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Islami radikal është një formë e fashizmit e shekullit të 21, një ekstremizëm që duhet të luftojmë”, tha ministri.
Presidenti, Emmanuel Macron, vizitoi vendin e ngjarjes së rëndë në Nisë dhe u shprehu ngushëllimet familjarëve. Gjithashtu, tha se numri i forcave të rendit në afërsi të kishave dhe shkollave do të rritet nga 3 mijë në 7 mijë.
Ndërsa Prokuroria franceze zbuloi detaje nga hetimet. Zyra e antiterrorit bëri me dije se autori i sulmit është një shtetas i Tunizisë, i cili kishte mbërritur me anije, në shtator, në Itali si emigrant.
Vetëm pak ditë më parë ai kishte udhëtuar me tren për në Francë, destinacioni i fundit do të ishte pikërisht qyteti i Nisës.
“Sa i përket agresorit, ai u transportua në spital ku është operuar. Ai është plagosur shumë rëndë dhe gjendet në rrezik për jetën. Kur u arrestua, mbante një dokument nga Kryqi i Kuq italian në emër të një shtetasi tunizian i lindur në 1999. Hetimet fillestare kanë treguar se ky është identiteti i autorit”, u shpreh Jean-François Ricard, prokuror i antiterrorist në Francë.
Natën përpara atentatit kishte fjetur tek dera e kishës së Nisës dhe kishte pritur momentin e hapjes së saj në mëngjes, ku kreu më pas masakrës.
I riu nuk ka pasur rekorde kriminale, por të gjitha pistat vërtetojnë se ai ka kryer një akt terrorist me motiv ekstremizmin islamik. Ekspertët e lidhin ngjarjen me karikaturat e profetit Muhamed, për të cilat presidenti Emmanuel Macron i ka konsideruar të zakonshme për një shtet laik si Franca. Protestat kundër tij në vendet e botës islame vijojnë pa pushim.
Ndërkohë, qeveria franceze ngriti alarmin e sigurisë kombëtare në nivelin më të lartë pas sulmeve terroriste që kanë mbërthyer vendin.
Dy sulme të tjera ndodhën gjatë së enjtes, një në Avinjo dhe një tjetër pranë konsullatës franceze në Arabinë Saudite.