Katër shtetas australian janë shpallur fajtor për vrasjen e një shqiptari. Sipas raportimeve të mediave, 4 të dënuarit kishin hyrë në shtëpinë e Urim Gjarbit për të vjedhur kanabis, por pas rezistencës së këtij të fundit e vranë.
Gjykata e Lartë, pas 4 ditësh seancash të gjata shpalli fajtor; Benjamin John Mitchell, 33 vjeç, Alfred Claude Rigney, 44 vjeç, Matt Bernard Tenhoopen, 25 vjeç dhe Aaron Donald Carver, 37 vjeç.
Të katërt në bashkëpunim me njëri-tjetrin vranë Urim Gjabri në shtëpinë e tij në tetor 2018. Gjykata duke iu referuar provave tha se të akuzuarit kanë qëlluar disa herë me sende të forta në kokë viktimën, duke i thyer kafkën.
Gjykatës u tha se gjatë hetimeve, policia zbuloi ADN-në e dy të akuzuarve brenda shtëpisë së të vdekurit. Ata gjithashtu gjetën ADN-në e një të pandehuri të tretë në timonin e makinës së Gjabrit.
Edhe pse hetuesit kishin gjetur shumë prova, sërish gjykata nuk ishte në gjendje të vendoste se cili prej të akuzuarve kishte rol më të madh në vrasjen e shqiptarit.
46-vjeçari shqiptar kishte shkuar si refugjat në Australi vite më parë dhe kohët e fundit ai ishte bërë banor rezident.