Hashim Thaçi dha dorëheqjen si President i Kosovës pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë, por kush do të ushtrojë detyrën e kryetarit të shtetit tashmë?
Do të jetë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që do të drejtojë presidencën pas dorëheqjes së Thaçit. Njohësi i Kushtetutës, Kushtrim Palushi, ka sqaruar për Klan Kosovën se kjo gjë i kalohet automatikisht kryetarit të Kuvendit pasi është e rregulluar në Kushtetutë.
Palushi është shprehur se për shkak të kësaj as partitë politike nuk mund të kenë kundërshti. Por nëse për gjashtë muaj nuk arrihet të zgjidhet një president i ri vendi duhet të shkojë në zgjedhje tha Palushi.
“Bazuar në Kushtetutën e Kosovës në rast të mungesës së presidentit, qoftë edhe në rast të mungesës së përkohshme, e zëvendëson kryetarja e Kuvendit, në këtë rast Vjosa Osmani. Por, menjëherë duhet të fillohet me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Nëse s’kemi 6 muaj president atëherë shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo procedurë është automatike që e parasheh Kushtetua dhe kjo nuk pyet partitë politike, por është dispozitë kushtetuese”, tha ai.