Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi të enjten një mbyllje tre-javore në të gjithë vendin, në përpjekje për të ulur kurbën e rasteve të reja që rrezikojnë të çojnë në kolaps sistemin spitalor.
Mbyllja do të jetë e dyta që nga fillimi i pandemisë dhe do të hyjë në fuqi të shtunën në mëngjes.
Të gjitha dyqanet me pakicë do të mbyllen dhe udhëtimet midis rajoneve do të ndalohen, ndërsa autoritetet kanë dhënë udhëzime për përdorimin e një sistemi që i detyron qytetarët të dërgojnë mesazhe me tekst në një numër të qeverisë kur largohen nga shtëpia për punë, për pazar, për t’u vizituar te mjeku apo për të bërë stërvitje. Shkollat e mesme do të mbyllen dhe mësimi do të zhvillohet në distancë, megjithëse kopshtet dhe shkollat fillore do të qëndrojnë të hapura.
“Edhe një herë, morëm masa. Më mirë shpejt sesa vonë”, tha Mitsotakis në një fjalim televiziv drejtuar kombit, duke shtuar se vendimet e tij po drejtohen nga komiteti i ekspertëve që këshillon qeverinë.
Mitsotakis thotë se një rritje e rasteve të reja gjatë pesë ditëve të fundit e ka “detyruar” atë të marrë masa tani, në vend që të presë për të parë nëse kufizimet e fundit do të paguajnë. Nëse qeveria do të priste dhe masat aktuale nuk funksiononin, presioni mbi spitalet do të ishte “i padurueshëm”, shpjegoi ai.
Ai gjithashtu tha se qeveria do të mbështesë financiarisht qytetarët që do të preken nga mbyllja e re.
Mitsotakis ka informuar se ata që janë të papunë prej një kohe të gjatë do të ndihmohen deri në dhjetor me pagë 534 euro kurse ata që dalin të papunë këtë muaj me nga 800 euro secili.
Ai ka dhënë dhe shifrën sipas të cilit nga paketa ekonomike do të ndihmohen fillimisht 130 mijë qytetarë grekë që janë të papunë.
Detajet e planit do të paraqiten nga ministri i Financave, Christos Staikouras, sot gjatë ditës.