Ndërsa numërimi i votave në zgjedhjet presidenciale amerikane po i afrohet fundit dhe ndërsa Joe Biden i afrohet fitores, një numër republikanësh të rangut të lartë po largohen nga Donald Trump.
Shumë prej tyre nuk i pranojnë deklaratat e Trump se nuk do të njohin rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa disa madje kanë kundërshtuar publikisht presidentin, i cili vitet e fundit, me përjashtim të disa republikanëve si Mitt Romney, nuk është parë shpesh, shkruan NBC.
Udhëheqësi aktual i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell, i cili shmang kritikimin publik të Presidentit Trump, tha “pretendimet që ju fituat zgjedhjet janë të ndryshme nga përfundimi i numërimit të votave”.
Trump së pari shpalli fitoren natën e zgjedhjeve dhe të nesërmen, kur rezultatet në disa shtete u kthyen në favor të Biden, ai filloi të pretendonte se ishte duke u zhvilluar një “mashtrim masiv i kombit”.
Për më tepër, presidenti dhe ekipi i tij kanë kërkuar tashmë ligjërisht pezullimin e numërimit të votave në më shumë se tre shtete kryesore dhe duket se ky mund të jetë vetëm fillimi.
“Nuk ka asnjë bazë për të folur për këtë sonte. Të gjitha votat duhet të numërohen”, tha ish-guvernatori i New Jersey, Chris Christie, një aleat i madh i Trump, njeriu që e përgatiti atë për debatin presidencial.
“Ju duhet të prisni që procesi të përfundojë para se të gjykoni se ka gabime. Nëse e bëni atë shumë herët dhe më vonë rezulton se kishte gabime, ju keni zvogëluar besueshmërinë tuaj. Kështu që unë mendoj se ky është një vendim i keq strategjik, një vendim i keq politik dhe nuk është lloji vendimet që do të prisnit nga dikush në një pozicion në të cilin ndodhet Trump”, shtoi Christie.
Kundër Trump doli guvernatori i Ohio, Mike DeWine, i cili i tha Fox News se “ai është për Trump, por nëse Biden fiton, ne të gjithë do ta pranojmë atë”.
“Ne besojmë në shtetin e së drejtës. Çdo votë duhet të numërohet. Ne si vend duhet të pranojmë rezultatet e zgjedhjeve. Ne besojmë në numërimin e të gjitha votave”, tha DeWine.
“Ndal! Votat do të numërohen, dhe ju ose do të humbni ose do të fitoni. Sapo të konfirmohen rezultatet, ne duhet të pranojmë rezultatin për respekt të demokracisë sonë”, tha republikani Adam Kinzinger nga Illinois.
Senatori republikan i Florida-s, Marco Rubio, dikur një kandidat në zgjedhjet paraprake të republikanëve në të cilët Trump fitoi nominimin presidencial të partisë në 2016, gjithashtu foli. Ai shkroi në Twitter se “fakti që duhen disa ditë për të numëruar votat nuk do të thotë se është një mashtrim”.
Guvernatori i Maryland-it, Larry Hoga, i cili konsiderohet një republikan i moderuar, tha se deklarata e Trump për mashtrimet zgjedhore ishte “skandaloze”.
“Nuk ka nevojë për pretendime të tilla dhe ishte një gabim i tmerrshëm”, beson Hogan.
“Pavarësisht se sa të përkushtuar jeni në këtë garë dhe në cilën parti jeni dhe për kë keni votuar, shumica e amerikanëve me të vërtetë dëshirojnë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe duan që ne të vazhdojmë të numërojmë”, tha Hogan.
Reagoi edhe senatori republikan i Utah, Mike Lee, një fortesë konservatore, duke apeluar që të gjithë të qetësohen.
“Është më mirë për të gjithë të qetësohen dhe të lejojnë numëruesit e votave të bëjnë punën e tyre”, tha Lee. Guvernatori i zgjedhur i shtetit të Utah, republikani Spencer Cox, ishte shumë më i ashpër dhe i quajti pretendimet e Trump “budallallëqe”.
“Sipas kushtetutës sonë, legjislaturat e shtetit vendosin rregulla zgjedhore dhe drejtojnë procesin zgjedhor. Ne duhet ta respektojmë atë proces dhe të sigurojmë që të gjitha fletët e votimit të marra siç duhet të numërohen”, tha senatori republikan Rob Portman nga Ohajo.
Në të njëjtën kohë, atmosfera po bëhet më e zymtë në Shtëpinë e Bardhë, raporton CNN, duke cituar një burim të mirëinformuar në rezidencën presidenciale. Siç thonë ata, Trump është i lodhur dhe ngadalë po bëhet i vetëdijshëm për faktin se fitorja dhe një mandat i dytë po i rrëshqasin nga duart. Burimi i përmendur vë në dukje se, në kundërshtim me përshtypjen e një njeriu të vendosur që Trump la gjatë shpalljes së fitores së tij, për të cilën ai nuk kishte asnjë themel, gjendja në Shtëpinë e Bardhë është krejtësisht e ndryshme.
Një burim tjetër i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN se situata aty ndryshoi në mënyrë dramatike kur Fox News, kanali i preferuar i lajmeve i Trump, shpalli fitoren e Biden në Arizona.
“Presidenti u panikos në atë moment dhe linjat telefonike “u dogjën”. Ai filloi i tërbuar të thërriste guvernatorët republikanë në të gjithë vendin dhe gjatë këtyre telefonatave lindi ideja për të ngritur procese gjyqësore në një numër shtetesh për të parandaluar trendin e pashmangshëm të tejkalimit të votave te Biden”, tha burimi.
Ai menjëherë punësoi bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për të përpiluar proceset gjyqësore, të cilët deri më tani kanë kërkuar pezullimin e numërimit të votave në Michigan, Pennsylvania dhe Georgia dhe një rinumërim në Wisconsin.