Pas disa orësh heshtje, Donald Trump ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në procesin e numërimit të votave.
Presidenti Trump ka reaguar nëpërmjet postimit në Twitter duke kërkuar të ndalohet numërimi i votave.
“Stop count” shkruan Trump.
Organizatat e mediave amerikane ende nuk kanë nxjerrë parashikimet për fituesit në gjashtë shtete: Alaska, Arizona, Xhorxha, Nevada, Karolina e Veriut dhe Pensilvania.
Sipas parashikimeve të tyre nga e mërkura, zoti Biden është fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, dy shtete ku Trump fitoi në zgjedhjet e vitit 2016.
“Nuk po dal për të deklaruar se kemi fituar, por për të thënë se kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit“, tha zoti Biden të mërkurën pasdite.
Biden mund ta arrijë pragun e 270 votave në Kolegjit Zgjedhor, i nevojshëm për të fituar zgjedhjet nëse ruan epërsinë në Arizona dhe Nevada.
Sipas sistemit të Kolegjit Zgjedhor, fituesi i votës popullore në secilin shtet – me përjashtim të Meinit dhe Nebraskës, merr të gjitha votat elektorale të shtetit.
Shtetet nuk e deklarojnë zyrtarisht fituesin para se të numërohen të gjitha votat, por organizatat e mediave parashikojnë fituesin kur ata arrijnë në përfundimi se nuk kanë mbetur aq vota të panumëruara sa të ndryshojë rezultatin.
Biden gjithashtu kryeson përsa i takon votës popullore në shkallë kombëtare. Deri të enjten në mëngjes ai kishte siguruar 71.6 milionë vota, krahasuar me 68.1 milion vota të hedhura për Trump, sipas Edison Research dhe Associated Press. Me një numër të lartë votuesish të hershëm, numri i përgjithshëm i votuesve për vitin 2020, sipas disa vlerësimeve, mund të arrijë në 150 milionë ose më shumë, një shifër rekord.