Bota Si dhe pse u bë Pensilvania shtet kyç në garën presidenciale?

Si dhe pse u bë Pensilvania shtet kyç në garën presidenciale?

Me 20 vota elektorale, Pensilvania është çmimi më i madh në pesë shtetet e mbetura në garën presidenciale.

Presidenti Donald Trump nuk do të mund të fitojë një mandat të dytë nëse nuk fiton në këtë shtet. Deri më tani, Biden ka thelluar përparësinë, kryesisht prej votave të dërguara me postë të cilat janë numëruar më vonë.

Meqenëse numërimi i votave me postë dhe atyre në mungesë kërkon kohë, rezultatet në këtë shtet mund të mos dihen deri në fund të javës.

Shumica e mbështetësve të Trump në Pensilvani ndodhen në zona rurale midis qyteteve të mëdha të Filadelfias dhe Pitsburgut. Për ta më e rëndësishme është ekonomia sesa pandemia e koronavirusit.

Por Pensilvania nuk ka qenë gjithmonë një shtet kyç për fitore. Në fakt, fitorja e Trump më 2016 ishte e para për një kandidat republikan që nga vitet ‘80.

Ndërsa Presidenti Trump po kërkon ndalimin e numërimit të votave që kanë mbërritur pas ditës së zgjedhjeve, në Filadelfia priten protesta nga mbështetësit e Biden me kërkesën që të numërohet çdo votë.

Por rezultatet e Pensilvanisë dhe garës presidenciale në tërësi mund të mos dihen edhe për disa ditë të tjera.