Bota Protesta nga përkrahës të të dy kampeve, mbështetësit e Trump dalin të...

Protesta nga përkrahës të të dy kampeve, mbështetësit e Trump dalin të armatosur

Përkrahës të Presidentit Donald Trump dhe rivalit demokrat Joe Biden zhvilluan demonstrata kryesisht paqësore në disa shtete ende të padeklaruara, ku vazhdon numërimi i votave.

Qindra demokratë u mblodhën të premten pranë ndërtesës së numërimit të votave në Filadelfia, të veshur me bluza të verdha ku shkruhej “Numëro çdo votë” dhe duke kërcyer në rrugë.

Në Detroit, një grup mbështetësish të presidentit Trump, disa të armatosur, protestuan pranë vendit të numërimit, duke tundur flamuj dhe me thirrjet, “Luftoni!”

Fryma e protestave në Filadelfia nuk ishte aq e ndezur, kur demonstrues nga të dyja kampet qëndruan në anë të ndryshme të barrierave, nën prani të shtuar policore. Autoritetet e rendit thanë se kishin arrestuar një person të armatosur të enjten në mbrëmje në kuadër të hetimeve mbi njoftimet se kishte plane për të sulmuar qendrën e konferencave në qytet, ku po numërohen votat.

Të dyja palët ishin organizuar pas komenteve të ashpra të presidentit lidhur me procesin e numërimit të votave, që deri tani tregon në epërsi demokratin Joe Biden, i cili gradualisht ka krijuar një avantazh në numrin e votave elektorale.

Në shtetin ende të padeklaruar të Arizonës ku gara po rezulton e fortë, përkrahësit e dy kandidatëve u përballën në Finiks pranë Departamentit Zgjedhor të komunës Marikopa. Grupe të armatosura rëndë të krahut të djathtë u mblodhën pranë ndërtesës ku punonjësit lokalë të zgjedhjeve numëronin votat.

Protestuesit në mënyrë të përsëritur akuzuan shefin e komunës Marikopa, Adrian Fontes se nuk kishte numëruar disa vota duke dëmtuar Presidentin Trump, megjithëse nuk ka prova që ka pasur parregullsi në numërimin e votave.

Ndërkohë që ende nuk ka një rezultat për zgjedhjet presidenciale, përballje të tensionuara mes protestuesve nga të dyja palët janë regjistruar në qytete si Atlanta të Xhorxhias, Detroit të Miçiganit, Las Vegas të Nevadës dhe Miuaki të Uiskonsinit./VOA