Prej ditësh në Shqipëri numri i të infektuarve me Covid-19 ka ardhur në rritje, ndërsa ky tregues po shqetëson jo vetëm qytetarët, por edhe institucionet shtetërore.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, i tha Euronews Albania se situata mbetet shqetësuese pasi vihet re një shtim i personave të infektuar me Covid-19.
Sipas znj. Rakacolli shkaktarët e kësaj situate është vetë tipologjia e virusit, por edhe përgjegjshmëria e qytetarëve, e cila nuk është në nivelin e duhur.
“Është një situatë shqetësuese, sepse numrat po vijnë në rritje. Kjo situatë ka të bëjë me sjelljen e virusit në këtë stinë vjeshtë-dimër, por ka të bëjë edhe me atë se qytetarët nuk po i respektojnë masat, sidomos në këtë periudhë të rritje së rasteve”, tha ajo.
Pavarësisht rasteve të rritje të të infektuarve, znj. Rakacolli tha se për momentin nuk po mendohet asnjë skenar, i cili planifikon rimbyllje.
“Ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendjen situatën. Problemi i shëndetit është problem kompleks, që është i lidhur me ekonominë, por edhe me problemet e tjera sociale. Ne nuk duam të mbyllemi krejtësisht siç bëmë në fillim. Këtë nuk e duam as ne dhe as qytetarët. Që në mos të arrijmë këtu nuk e kemi në dorë ne, por këtë e kanë në dorë qytetarët. Të përdoret maska me shumë dëshirë. Njerëzit nuk e mbajnë maskën në mënyrë korrekte, vazhdojnë të qëndrojnë me orë të zgjatura në bare e restorante dhe nuk ruajnë distancën”, u shpreh Rakacolli, e cila më tej tha se situata mbetet në monitorim dhe masat që do merren do jenë masa të mirëmenduara.
“Gjithçka varet nga shifrat. Shifrat janë të larta dhe po rriten ndjeshëm, po rritet numri i të shtruarve, numri i vdekjeve në përputhje me numrin e të shtrimeve nuk po rritet me proporcionalitet. Një analizë e tyre e kombinuar do na detyrojë që të marrim ato masa në uljen e rasteve, por do jenë masa të mirëmenduara. Në këtë moment që po flasim jo. Gjithçka varet nga situata dhe ne jemi në 24/7 ditë të javës në monitorim të situatës. Nuk kemi mbyllje të universiteteve, por mësim online. Universitetet nuk u hapën, jo se u mbyllën”, theksoi ajo.
Gazetarja Bruna Çifligu pyeti zv.ministren e Shëndetësisë se a po mendohet mbyllja e bareve dhe restoranteve si masë penguese për izolimin e coronavirus, për këtë znj. Rakacolli dha këtë përgjigje: “Po i monitorojmë, nuk mund të themi po ose jo, por akoma nuk kemi arritur në këtë rezultat. Ne po bëjmë thirrje tek qytetarët për kujdes që mos të arrijmë ta bëjmë këtë, dhe mos të shpenzojnë orë të zgjatura në bare”, tha jo.
Gjashtë viktima dhe 489 raste të reja është bilanci i 24 orëve të fundit me COVID-19 në Shqipëri. Kjo shifër rezulton të jetë numri më i lartë i rasteve ditore, që prej fillimit të pandemisë që është identifikuar nga kryerja e 1 954 testeve.