Politika Basha: Vendi në krizë, Shqipëria ka nevojë për lidership

Basha: Vendi në krizë, Shqipëria ka nevojë për lidership

Kryetari i PD, Lulzim Basha, foli sot në një videomesazh për situatën e pandemisë COVID-19.

“Është e qartë tashmë se vala e dytë e pandemisë ka goditur Shqipërinë dhe gjendja po përkeqësohet dita-ditës.

Numri i atyre që kanë humbur jetën nga virusi, i të shtruarve në spital dhe i të infektuarve me COVID po rritet në mënyrë tragjike.

Ju shpreh ngushëllimet e mia të gjithë familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre në betejën me koronavirusin. Nuk ka gjë më të dhimbshme se pamundësia për tu ardhur në ndihmë familjarëve dhe të afërmve të sëmurë”, tha ai.

Basha nënvizoi se, Shqipëria ka nevojë për lidership.

“Vendi gjendet në krizë shëndetësore dhe ekonomike, pa asnjë masë dhe plan për menaxhimin e saj.

Spitalet janë të mbipopulluara, urgjencat janë përplot me qytetarë që presin ndihmë. Mjekët janë të mbingarkuar, të pambrojtur, pa mjetet e nevojshme për të luftuar sëmundjen dhe disa prej tyre e kanë paguar me jetë.

Vendi ka nevojë për lidership ekonomik! Kjo qeveri ka dështuar të menaxhojë situatën. Sot, shqiptarët janë më të kërcënuar dhe më të varfër se çdo qytetar tjetër në rajon”, tha ai.

Sipas tij, pamundësia ekonomike e ka bërë edhe më të vështirë përballimin e krizës shëndetësore.

“Shumica e qytetarëve nuk përballojnë dot kostot e larta të medikamenteve, që përdoren për të trajtuar koronavirusin. Kjo është e papranueshme!

Si lideri i opozitës, në këtë situatë shumë të vështirë, me përgjegjësi të plotë kam ofruar alternativa, kam ofruar zgjidhje. I kam kërkuar kryeministrit të përgjigjet me seriozitetin që i kërkon detyra dhe situata. E vetmja përgjigje është se ‘fajin e kane qytetarët”.

Basha tha se PD ka mbështetur që nga fillimi çdo hap në mbrojtje të shëndetit të njerëzve, duke ofruar edhe zgjidhje.

“Por ne bëjmë përgjegjëse qeverinë për mungesën e lidershipit dhe të veprimit nga ana e saj. Asgjë nuk ka më rëndësi sot se jeta dhe shëndeti juaj. Prandaj ju bej thirrje të tregoni maksimumin e vëmendjes dhe kujdesit për të mbrojtur veten, fëmijët, prindërit dhe familjen!”