Bota Dhëndri i Erdoganit dorëhiqet nga posti i ministrit të Financave

Dhëndri i Erdoganit dorëhiqet nga posti i ministrit të Financave

Ministri i Financave i Turqisë, njëkohësisht dhëndri i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, dorëhiqet për arsye shëndetësore. Në një njoftim të dielën, Berat Albayrak u shpreh se po tërhiqet nga detyra për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij.

Albayrak u emërua ministër i Financave dhe Thesarit në korrik 2018, pasi kishte qenë më parë ministër i Energjisë i Turqisë për gati tre vjet.

Dorëheqja e tij vjen pas shkarkimit të shefit të bankës qendrore, Murat Uysal, pas një rënieje 30% të vlerës së lirës turke.

“Vendosa të mos e vazhdoja detyrën time si ministër pas pesë vitesh në detyrë për shkak të problemeve shëndetësore”, tha Albayrak në Instagram.

“Do të kaloj kohë me nënën time, babanë, gruan dhe fëmijët, të cilët i kam lënë pas dore për shumë vite nga nevoja dhe të cilët kurrë nuk më kanë kursyer mbështetjen e tyre.”

Vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen nuk është konfirmuar ose pranuar ende nga Erdogan. Disa analistë në vend e kishin parë Albayrak si pasardhësin eventual të Erdoganit.

Në prill, Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu dha dorëheqjen përmes mediave sociale, por e tërhoqi disa orë më pas, pasi Erdogan refuzoi ta pranonte.

Zëvendësministri i Transportit, Omer Fatih Sayan, shkroi në Tuiter se shpresonte që dorëheqja e Albayrak do të refuzohej, duke shtuar “vendi ynë, njerëzit tanë dhe komuniteti ynë kanë nevojë për ju”.

Albayrak, i cili ka katër fëmijë me vajzën e Erdoganit Esra, ka drejtuar në një periudhë të ashpër në ekonominë turke.

Të premten, lira arriti një rekord tjetër të ulët në tregti, pasi humbi rreth 45% ndaj dollarit amerikan që kur u emërua dhe është monedha me performancën më të dobët në tregjet në zhvillim këtë vit.