Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike dhe të Lulzim Bashës, që ka denoncuar në deklarimet e tij të përditshme se sistemi shëndetësor në vend është në kolaps për shkak të pandemisë.
Në një konferencë për shtyp nga Kryeministria, Rama i konsideroi neveritëse këto akuza të opozitës dhe hodhi poshtë çdo pretendim se spitalet Covid nuk kanë më kapacitete.
Sipas tij, akuzat e opozitës janë të pavërteta, të pajustifikueshme, kriminale dhe me qëllim të keq për të mbjellë panik dhe dëshpërim me fabrikime.
“Më lejoni të ndaj ndjenjën neveritëse për shefat e të ashtuquajturës opozitë që janë çakërdisur deri në pikën ku shpresat e tyre të lodhura për pushtet i kanë mbështetur të gjitha tek ëndrra e një katastrofe shëndetësore.
Shefat e opozitës janë çakërduar në pikën ku shpresat e lodhura për pushtet i kanë mbështetur tek ëndrra e një katastrofe shëndetësore. Janë bërë zëdhënës të panikut, të çorodisë psikologjike dhe të një pesimizimi krejtësisht të fabrikura për të krijuar sa më shumë dëshpërim në popull, përmes gënjeshtrash, abuzimesh dhe propaganda të shfrenuara që dëmton moralin e mjekëve, ekspertëve që me profesionalizëm po udhëheqin në këtë front.
Është e pajusitifikueshme me asgjë që sot t’u thuhet në mënyrë të përditshme njerëzve se spitalet janë në kolaps, çka nuk është e vërtetë, edhe mund të ishin siç ka ndodhur në vende të zhvilluara, por nuk janë që njerëzit dergjen dyshemeve, por nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë që mjekimi bëhet nëpër autoambulanca falë edhe ndihmës së ndonjë medie që në mënyrë të papërgjegjshme ka raportuar diçka të tillë, po nuk është e vërtetë që qeveria po vjedh dhe prandaj po rritet numri i infektimeve dhe vdekjeve.
Është absurde, por numrat po rriten kudo, po vjedh kancelarja gjermane, kryeministri britanik apo qeveria franceze. Është një absurd që fatkeqësisht nuk vjen nga padituria po qëllimi ogurzi për të nxitur panik e mbjellë dëshpërim dhe për të armiqësuar njerëzit me qeverinë, shumë e dukshme, vulgare, e dënueshme si strategji politike për pushtet që nuk kanë shans ta rimarrin pasi e kishin dhe e shpërdoruan në atë farë feje që falë Zotit, ky virus nuk erdhi kur ishin ata, me shëndetësinë që na lanë ata. Nuk i gjeti mjekët e infermierët pa përparëse, e lëre më, me mjete mbrojtëse, pa çarçafë e batanije, nuk i gjeti të sëmurët pa aspirina në spital, dhe lëre më protokollet shëndetësore, se atëherë do kishim parë çdo të thotë tragjedi kombëtare. Si mund të organizohet çdo ditë një sulm i tillë papushim në emër të opozitarizmit pa fakte e shifra duke nxjerrë lloj-lloj sharlatanësh medemek mjekë e ekspertë që flasin pa lidhje”.
Duke folur për vetëvrasjet, kreu i qeverisë theksoi se një nga pasojat e virusit është edhe nxitja për të vrarë veten. Ai foli për vetëvrasjet në Itali dhe në botë si pasojë e Covid-19, ndërsa ironizoi edhe në këtë pikë opozitën.
“Si mund të nxirret teza që vetëvriten për shkak të kushteve në spitale. Ju bini në kurth se nuk merrni përsipër të bëni një kërkim të thjeshtë për të parë që shifrat botërisht, tregojnë atë që është paralajmëruar nga ekspertët botërisht.
Një nga pasojat e futjes së këtij armiku në trupin e njeriut, është edhe nxitja për të vrarë veten. Në Itali, janë vetëvrarë 71 persona nga marsi në gusht dhe një numër i konsiderueshëm tentativash për vetëvrasje në Francë është rritur numri i vetëvrasjeve që lidhen me Covid, kreu i klubit të futbollit të Remsit. Katër persona në Gjermani kanë kryer vetëvrasje, në Britani ka pasur vetëvrasje të personelit shëndetësor, një 37-vjeçar në spital në Mbretërinë e Bashkuar tentoi vetëvrasjen në ditën e pestë, 3 mjekë rusë janë vetëvrarë duke u hedhur nga dritaret e spitalit, pas stresit emocional që paralajmërohet nga ekspertë të shëndetit në këtë situatë. 4 të vetëvrarë në spitalin e Ukrainës janë hedhur nga spitali i Kievit. Qeveria e Shqipërisë i nxit këto vetëvrasje në botë?
Në SHBA, janë regjistruar në prill mbi një mijë për qind thirrje në urgjenca me çrregullime emocionale për shkak të Covid, është vetëvrarë personel mjekësor në Nju Jork, me hedhje nga dritarja dhe në një studim qysh në maj, është paraparë rritja e numrit të vetëvrasjeve për shkak të covid me 32 % globalisht. Në Poloni, vetëvrasja e personelit mjekësor, edhe në Greqi vetëvrasje në qendër të strehimit social.
Dje, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, paralajmëroi 200 mijë vdekje të tjera. Pse nuk e ndalon SHBA-ja me propozimet e derdimenit Basha dhe psalmet e Ilir Kushit. Është shprehja më kuptimplotë e të humburve dhe nuk gjen dot rrugë ku janë futur vetë. Një çetë karagjozësh”.