Pas orës 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, Shqipëria do të jetë në izolim. Lëvizja do lejohet për profesionet e shëndetësisë, për ata që shkojnë në punë, apo në raste emergjencash. Policia e Shtetit thotë se lëvizja nga njëri qytet në tjetrin gjatë natës, është e ndaluar.
Por çfarë masash rrezikojnë qytetarët që shkelin orën policore?
Nëse lëvizni si këmbësor pas orës 22:00 pa pasur leje nga e-Albania, atëherë do të gjobiteni me 10 mijë lekë të reja. Për shoferët masa do të jetë heqje e lejes së drejtimit.
Në rast përsëritjesh parashikohet nga gjobë deri në 6 muaj burg. Baret dhe restorantet që qëndrojnë hapur pas orës 22:00 do të gjobiten me nga 50 në 500 mijë lekë, ndërsa parashikohet edhe heqje liri në rast përsëritjeje të shkeljes së urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Prej mbrëmjes së të mërkurës policia do të rikthejë pikat e kontrollit që u vendosën gjatë muajit Mars dhe Prill. Në zonat kryesore të Tiranës do të ngrihet postblloqe dhe po kështu në hyrje-daljet e qyteteve të tjera do të qëndrojë Policia Rrugore.
Edhe në autostradat kryesore, do të vendosen patrulla policie, për të mos lejuar qarkullimin. Sipas Policisë ditën e parë do të ketë edhe këshillime për ata që nuk janë të informuar. Lëvizja do lejohet për furgonët dhe kamionët e mallrave, por jo për makinat personale.