Gjykata e Fierit i dha të drejtë Marjus Isufajt, ish-drejtor i Qendrës së Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike Patos, pas pretendimeve se ishte diskriminuar politikisht dhe se shkarkimi i kishte shkaktuar stres dhe probleme nervore.
Nga Elton Qyno / BIRN
Marjus Isufaj, ish-drejtori i Qendrës së Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike Patos në varësi të Albpetrol-it dhe familja e tij është dëmshpërblyer me një shifër rekord prej 49.3 milionë lekësh nga Gjykata e Fierit për shkarkimin nga detyra.
Isufaj kishte përfituar më herët edhe një dëmshpërblim prej 21 pagash mujore me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës në korrik 2020, pasi kjo e fundit rrëzoi ankimin e Albpetrol që pretendonte se shkarkimi ishte i ligjshëm.
Isufaj pretendoi para gjykatës se shkarkimi i tij kishte ardhur për shkak të bindjeve të tij politike si përfaqësues i LSI-së dhe se diskriminimi i kishte shkaktuar stres dhe probleme nervore.
Gjyqtari Ergys Selmani i dha atij të drejtë në katër seanca, duke pranuar të gjitha kërkesat e Isufajt. Gjykata urdhëroi gjithashtu ekzekutimin e përkohshëm të padisë, duke i mundësuar ish-drejtorit të marrë dëmshpërblimin pa pritur vendimin e formës së prerë. Albpetrol po ashtu detyrohet të paguajë edhe mbi 1 milionë lekë për mbrojtësit e Isufajt.
Në padinë e dorëzuar në gjykatë, Isufaj ka pretenduar se ishte diskriminuar pas zgjedhjeve të vitit 2017, pasi kishte qenë i angazhuar me LSI. Aty referohet si provë se pas fushatës elektorale në verë të 2017 dhe deri në shkarkimin e tij në vjeshtën e vitit 2019, ai ishte mënjanuar dhe trajtuar në mënyrë të diferencuar.
Gjykata përmend si fakt vendimin e Apelit të Vlorës, se shkarkimi kishte qenë i paligjshëm dhe disa ekspertiza nga psikologë që thonë se Isufajt dhe të afërmit e tij, prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët kishin pësuar dëm moral dhe vuajnë nga depresioni apo stresi post-traumatik pas shkarkimit të tij nga puna.
“Sipas gjykatës, diskriminimi dhe përjetimi i tij emocianal bënë që atij t’i shfaqej sëmundja e rëndë e “çrregullimit depresiv,” thuhet në vendim.
Kompania publike Albpetrol sh.a, i ka kundërshtuar kërkesat dhe ka pretenduar se shkarkimi kishte qenë i ligjshëm dhe se Isufaj nuk i ishte nënshtruar ndonjë diskriminimi për arsye politike. Por gjykata arsyeton se ky pretendim nuk qëndronte dhe vendos si argument faktin se me gjithë përvojën, atij nuk i ishte dhënë një vend tjetër pune dhe se posti që ai kishte mbajtur ishte “ricikluar”.
Në fund, Gjykata vendosi të dëmshpërblejë me 17 milionë lekë Isufajn për diskriminim dhe problemet e shkaktuara nga shkarkimi prej punës dhe me nga 4 milionë lekë dy prindërit e tij, bashkëshorten dhe fëmijët. Në vendim nuk është e qartë se si është përllogaritur masa e dëmshpërblimit, e cila është e njëjtë me shumën e kërkuar nga paditësi.