Aktualitet Vrau vajzën e saj 9-muajshe, kapet 46-vjeçarja shqiptare që u arratis nga...

Vrau vajzën e saj 9-muajshe, kapet 46-vjeçarja shqiptare që u arratis nga burgu grek

Një 46-vjeçare është arrestuar pas 23 vitesh në arrati dhe në kërkim nga autoritetet greke.

Irena Kostaki, e njohur dhe me identitetin tjetër Irena Zeria, u arrestua në Devoll gjatë aksionit të koduar “arratia”.

46-vjeçarja është e dënuar me 20 vite burgim me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lamias në Greqi për vrasje me paramendim.

Më 28 Gusht 1995 në zonën e Diles në shtetin grek, Irena Kostaki vrau vajzën e saj 9-muajshe duke e mbytur me duar. Për këtë krim ajo u arrestua dhe u la në masën e sigurisë arrest në burg nga gjykata greke.

Por, më 5 Mars 1997, ajo u arratis nga qendra e paraburgimit të grave në Koridhalo. Që prej asaj kohe, 46-vjeçarja ka qenë në kërkim.

Policia thotë se Irena Kostaki është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ajo u arrestua falë informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e saj. Gjykata e Korçës caktoi ndaj Irena Kostakit masën e sigurisë arrest në burg për efekt të njohjes së vendimit të Gjykatës së Lamias në Greqi.