Prej disa ditësh bilanci ditor nga koronavirusi në Itali vijon të shënojë rekorde negative në shifra që të kujtojnë periudhën më të zezë të kësaj pandemie në pranverën e kaluar.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se 636 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, të dhëna që nuk përsëriteshin prej muajit maj.
Gjithashtu pas 234 mijë testimesh të kryera, mbi 37900 rezultuan pozitive.
Mjekët: Jemi të sfilitur, hidhërimi po minon luftën kundër COVID-19
Personeli spitalor, që po lufton me pandeminë e COVID-19 në Itali, është i mbingarkuar dhe i sfilitur në maksimum, tha sot një mjek në vijën e parë të frontit të krizës.
“Ne po ndihemi keq, shumë keq”, u shpreh doktor Claudio Zanon, kreu i spitalit “Valuce” në provincën veriore të Como-s, në një videokonferencë me Shoqatën e Shtypit të Huaj.
“Ndryshe nga vala e parë, personeli shëndetësor është i zhgënjyer, i pamotivuar, i stresuar, në sfilitje totale” shpjegoi Zanon.
“Na ka pushtuar një hidhërim i përgjithshëm, që po e minon luftën kundër epidemisë”, shtoi ai.
“Spitali i “Valuce” nuk ka më asnjë shtretër falas, përfshirë edhe departamentin e tij të kujdesit intensiv, dhe po del pa 70 nga 600 mjekët dhe infermierë, sepse ata janë infektuar me COVID-19”.
Dje, Zanon urdhëroi mbylljen e urgjencës së spitalit, që do të thotë se nuk pranohen më ambulanca, sepse tashmë ishte e mbushur me rreth 30 pacientë që prisnin një shtrat spitali.
Como, së bashku me Monzan, Varesen dhe Milanon, është një nga provincat e rajonit të pasur verior të Lombardisë i goditur më keq nga vala e dytë e COVID-19.
Dr. Zanon tha se situata është po aq kritike, sa ishte në fillim të këtij viti në Bergamo, një epiqendër e së kaluarës së pandemisë, që u bë i njohur si “Wuhan i Italisë”.