CEO i kompanisë Tesla Inc., Elon Musk, hodhi dyshime mbi saktësinë e testeve për Covid-19, pasi të enjten pretendoi se kishte kryer katër të tillë brenda një dite dhe dy herë kishte rezultuar pozitiv, ndërsa dy herë të tjera negativ.
“Po ndodh diçka tej mase e pavërtetë. U testova katër herë për Covid sot. Dy teste dolën negative, dy pozitive. Në të njëjtën pajisje, i njëjti test, e njëjta infermiere. Një testim i shpejtë nga BD”, shkroi Musk në Twitter, duke iu referuar kompanisë Becton Dickinson and Co.
Ndërkohë, ai tha se po pret përgjigjen e testit PCR, që e kreu në një kompani tjetër. i pyetur nga ndjekësit në Twitter nëse kishte simptoma, ai u përgjigj: “Simptoma topike të ftohjes. Asgjë e pazakontë deri tani”.
Në shtator, kompania në fjalë tha se po hetonte raportime që në azilet e të moshuarve pajisjet e saj po prodhonin rezultate false-pozitiv, një fenomen që është pranuar se mund të ndodhë edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve, FDA.
Më parë, Musk ka kritikuar masat kufizuese të përdorura për frenimin e përhapjes së koronavirusit, duke i quajtur “fashiste” dhe shkelje të lirive individuale.