Ajo është 100 vjeç, por duket të paktën si 20 vite më e re. Bëhet fjalë për Nezihat Stërmasi bashkëshorten e ikonës së klubit të futbollit Tirana Selman Stermasi i lindur në 9 Maj të vitit 1908. Ai ndërroi jetën në vitin 1976 duke lënë pas gruan dhe vajzën e tij. E shoqja, Nezihat Stërmasi jeton në shtëpinë e tyre ku shkeli për herë të parë 82 vite më parë. Emisioni “Historia ime” sjell vajzën tiranse nga familja Petrela e cila u bë zonja Stërmasi në fillim shekullin e kaluar. Ajo ka treguar për moderatoren Mirela Milori si u njoh me Selmanin dhe çfarë mendoi kur e pa atë për herë të parë.
Mirela Milori: Më fol pak për fëmijërinë tënde.
Nezihat Stërmasi: Shtëpia ime ka qenë aty ku është një xhami tani në mes të Tiranës, prej ty kam dalë nuse.
Mirela Milori: Me çfarë mbiemri?
Nezihat Stërmasi: Petrela, ishim tre motra dhe tre vëllezër. Shtëpinë e mbaj mend shumë të bukur dhe çdokush që bënte shtëpi shkonim dhe nuk më dukeshe asnjë si shtëpia ime. Ne prisnim njerëz të huaj dhe i prisnin siç duhej.
Mirela Milori: Çfarë është një kujtim që të vjen nga fëmijëria për shembull?
Nezihat Stërmasi: Çfarë të kujtoj më përpara?! Kam shumë kujtime të bukura si nga fëmijëria, si nga rinia. Kisha plot kushërira dhe dilnim xhiro. Tirana ishte e bukur, kur dilnim nga shtëpia dilnim me Pajton. Babai e kishte blerë që ne gratë të dilnim rreth e rrotull Tiranës. Dilja me flokët gërsheta dhe shumë e thjeshtë.
Mirela Milori: Sa vjeçe u njohe me bashkëshortin tënd?
Nezihat Stërmasi: 14 vjeç.
Mirela Milori: Me dashuri apo me mblesëri?
Nezihat Stërmasi: Jo ku bëheshe atëherë me dashuri!
Mirela Milori: Po si u martuat?
Nezihat Stërmasi: U martova në moshën 18 vjeç. Vetëm kur u fejova u njoha me burrin, atëherë e pashë për herë të parë. I thashë nënës pyesni një herë më parë për të sepse unë ju vi prapë në shtëpi dhe nëna tha jo ne nuk do të të japim burrë që të na vish prapë në shtëpi, do të ta japim që të kesh një jetë të lumtur dhe ashtu e kam pasur jetën.
Mirela Milori: Kur e pe për herë të parë Selmanin, çfarë ndodhi?
Nezihat Stërmasi: Selmani ishte shumë simpatik, i rregullt, i pastër dhe i gjatë. Unë nuk doja t’i dilja para në fillim se më vinte shumë turp, isha vetëm 14 vjeç. I thashë ç’është ky budallallëk pse më nxirrni? Nëna e shkretë më thoshtë që duhet të njohësh burrin dhe unë i thashë po kur të martohem e njoh burrin, punë e madhe fort. Kur isha e fejuar vinte një herë në javë që të më takonte, flisnim, bënim shaka, kishim afrimitet të madh.
Gruaja e Selman Stërmasit flet për dasmën: Erdhi me 100 shokë, prindërit i kishin vdekur…
Nezihat Stërmasi ka folur edhe për dasmën dhe kujtimet e bukura që ka kaluar me bashkëshortin e saj të cilin e konsideronte një mashkull shumë të bukur, të pastër dhe një njeri të mrekullueshëm.
Mirela Milori: Në moshë 18 vjeç u martove, sa vjet më i madh ishte ai?
Nezihat Stërmasi: 8 vite më i madh. Ishte njeri i mrekullueshëm dhe djali më i bukur i Tiranës.
Mirela Milori: Po ti ke qenë më e bukura e Tiranës?
Nezihat Stërmasi: Unë nuk e di si isha, por ai visheshe bukur, ishte shumë i rregullt. Pasi u martuam erdhëm në këtë shtëpi dhe dhoma jonë ka qenë kjo që po flasim tani.
Mirela Milori: Ti ke hyrë në këtë shtëpi para 82 vitesh dhe këtu fillon historia. Si ka qenë dita e dasmës?
Nezihat Stërmasi: Makina erdhi deri këtu, më zbritën dhe më futën në shtëpi dhe i qerasa njerëzit që vinin tek unë.
Mirela Milori: Si ishte fustani i nusërisë?
Nezihat Stërmasi: Fustani ishte shumë i bukur, ma kishte prerë kunata ime nga Greqia. Fustan i gjatë me bisht dhe vello shumë i bukur. Më lyeu dhe rregulloi një franceze ajo erdhi në shtëpi e më bëri tualetin.
Mirela Milori: A u bëre nuse e bukur?
Nezihat Stërmasi: Ku di unë si isha bërë, njerëzit më shikonin me qejf dhe thoshin sa e bukur. Thoshin nusja më e bukur e Tiranës.
Mirela Milori: Po Selmani çfarë të tha kur të pa nuse?
Nezihat Stërmasi: Ah Selmani ka qenë shumë i mirë. Ishte shumë liberal. Në atë kohë dhëndri nuk vinte të merrte nusen në shtëpi, ai erdhi më mori me makinë edhe gjithë shokët e vetë. Kishte 100 vetë për darkë dhe unë në krye të tavolinës. Ishte shumë modern. Prindërit e tij kishin vdekur, vetëm halla e tij më priti, me lot më priti sepse nuk kishte të vëllain. Ajo ishte e para e shtëpisë.