Gjimshiti: Sulmuesit janë në formë, besoj te suksesi në dy ndeshjet e fundit. Çepele: Te Shqipëria më mbështesin të gjithë, ja pse u largova nga Interi
Shqipërisë i duhet fitorja në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve. Të dielën kombëtarja do të presë Kazakistanin dhe fitorja vjen duke shënuar në portën kundërshtare të paktën një gol më shumë.
Këtë e thotë mbrojtësi Berat Gjimshiti i cili ka besim tek reparti ofensiv.
“Besimi është i madh të gjithë lojtarët e ekipit e dimë që kemi cilësi të gjithë të rinjtë dhe eksperienca. Mund të marrim maksimumin nëse bëjmë ndeshje të mira siç organizohemi për të fituar ndeshjen. Sulmuesit në ndeshjet që vijnë e zgjidhin lojën. Në stërvitje i shoh mirë dhe besoj do bëjmë gola”, tha Gjimshiti.
Sa të rëndësishme kanë qenë dy sezonet e fundit të Gjimshitit me Atalantën? “Më kanë ndihmuar shumë dhe kjo shihet në fushë, por për një futbollist është shumë e rëndësishme që të luash sa më shumë. Nëse luan rregullisht, atëherë ke mundësi të korrigjosh gabimet dhe të përmirësohesh. Ka qenë e rëndësishme edhe fakti që kemi pasur gjithmonë të njëjtin trajner dhe kemi punuar shumë me të, por edhe të luajturit të Ligën e Kampionëve të jep një eksperiencë të jashtëzakonshme”, tha Gjimshiti.
Çepele: Te Shqipëria më mbështesin të gjithë
Ramen Çepele u bë një nga futbollistët më të rinj që vesh fanellën kuqezi të Kombëtares, pasi luajti titullar ndaj Kosovës, ndonëse nuk i ka ende 18 vite mbi supe. Pas fitores me Kosovën, mbrojtësi i ri beson se kuqezinjtë do të kenë sukses ndaj Kazakistanit.
“Jam ndjerë shumë mirë, pasi të gjithë më kanë qëndruar pranë dhe më kanë ndihmuar. Unë jam shumë i ri dhe kam shumë kohë përpara për të bërë mirë, ndaj për momentin jam i kënaqur që vij këtu dhe që kam debutuar, por e di që duhet të punoj shumë dhe të rritem në të gjithë aspektet”, tha Çepele.
I pyetur pse e la Interin për Hannoveri, Çepele tha: “U largova nga Interi, pasi në Itali nuk u japin shumë përparësi të rinjve. Te Hannoveri kam tjetër perspektivë, pasi është më e lehtë të debutosh në skuadrën e parë. Gjatë qëndrimit te Interi, nuk kam pasur asnjëherë kontakt me Antonio Conten”.