Sipas Partisë Demokratike numri i mësuesve që kanë humbur jetën për shkak të Covid-19 ka shkuar në 10. Ish-deputetja Albana Vokshi denoncoi këtë të shtunë trajtimin e tyre nga qeveria vetëm si statistika. Ajo u shpreh se situata në shkolla është alarmante dhe jashtë çdo kontrolli.
“Situata në shkolla është alarmante dhe jashtë çdo kontrolli. Shkollat janë sot ndër vatrat më të rrezikshme të përhapjes së infeksionit, sepse qeveria nuk do t’ia dijë për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Ajo që i intereson Edi Ramës është vetëm t’i përdorë ata për politikë dhe për pushtet”, tha ajo.
Sipas Vokshit, në të gjithë vendin janë rreth 600 mësues dhe 1300 nxënës të prekur dhe të karantinuar për shkak të Covid.
“Shkollat në Tiranë: në dy ditët e fundit janë 280 nxënës, rreth 120 mësues të prekur ose karantinuar.
Vetëm në Korçë janë mbi 100 mësues të prekur me COVID19
Vetëm në 3 shkolla në Lezhë janë 20 mësues.
Në të gjithë vendin janë rreth 600 mësues prekur/karantinuar dhe mbi 1300 nxënës”.
PD thotë se qeveria ka braktisur njerëzit dhe i ka lënë ata në mëshirë të fatit. Vokshi i bëri thirrje qeverisë që të zbatojë planin e PD-së, ndërsa kërkoi që të bëhet testimi masiv i mësuesve.
“Testim masiv e periodik i mësuesve dhe personelit ndihmës në shkolla, hetim epidemiologjik te nxënësit e familjet e tyre në mënyrë që të shkëputet zinxhiri i infeksionit
-pajisjen me maska mbrojtëse, dezinfektant, alkool, termometër dhe dezinfektim të rregullt të ambienteve mësimore
-mbylljen e shkollave që nuk plotësojnë asnjë kusht higjeno – sanitar e sigurimi i ambienteve të tjera të përshtatshme
-kontraktimi i mësuesve shtesë që të lehtësohet ngarkesa mësimore e mësuesve që japin 2-3-4 turne
-pagesë të plotë për të gjitha orët shtesë si dhe
-Paketë mbështetëse për mësuesit: shpërblime mujore 100-150 Euro (në Kosove janë dhënë shpërblime 150 – 300 Euro në muaj)”.