Qeveria e Gjermanisë do të ashpërsojë kufizimet për të luftuar nivelin e lartë të përhapjes së Covid-19, ndërsa ekonomia po vuan ndjeshëm pasojat e izolimit të lehtë.
Kancelarja Angela Merkel do të njoftojë liderët rajonalë për të adoptuar këto masa të reja: mbajtja e maskave është e detyrueshme për të gjithë, nxënësit dhe mësuesit të të gjitha grupmoshave; numri i nxënësve në klasa do të zvogëlohet; anëtarët e një familjeje nuk mund të takohen në publik me më shumë se 2 anëtarë të një familjeje tjetër.
Më herët, Gjermania mbylli baret, restorantet dhe qendrat e argëtimit për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Nga ana tjetër, Franca, që mbetet nën regjimin e një izolimi strikt, po merr lajme pozitive. Ministri i Shëndetësisë, Oliver Veran, thotë se niveli i përhapjes së infeksionit ka rënë në 10 ditët e fundit. “Kjo sugjeron se kemi kaluar një pik të pandemisë”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se virusi nuk është mposhtur ende.
Ndërsa piku i valës së dytë në Itali duhet të vijë brenda 7 ditësh. Këtë e konfirmon ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, i cili mendon se është shumë herët për të diskutuar për mënyrën e celebrimit të festës së Krishtlindjeve. Kreu i Emergjencave, Domenico Arcuri, pohon se nuk ka presion në repartet e terapisë intensive në Itali, edhe pse numri i shtrimeve rritet çdo ditë.
Pas Danimarkës, një tjetër vend skandinav po has probleme me përhapjen e Covid-19 nga kafshët. Mediat në Suedi raportojnë se 13 nga 40 fermat e vizonëve janë shndërruar në vatra përhapjeje të virusit. Megjithatë, qeveria nuk planifikon të mbyllë industrinë e gëzofit të vizonëve.