Komisioni Evropian miratoi të martën kontratën e radhës me një kompani farmaceutike në plan për të siguruar vaksinën e mundshme anti-Covid.
Përmes një komunikate për shtyp KE-ja tha se nënshkroi me kompaninë evropiane CureVac për një porosi fillestare prej 225 milionë dozash dhe mundësisë për një tjetër porosi të mëvonshme prej 180 milionë të tjera.
Kontrata, e cila është me kompaninë e pestë farmaceutike në radhë, që pritet të zhvillojë një vaksinë të suksesshme anti-Covid, parashikon furnizimin e vendeve anëtare të BE-së në rast se vaksina do t’i marrë të gjitha garancitë se është e efektshme.
Deri më tani BE ka mundur të kontraktojë kompani si AstraZeneca, Sanofi-GSK, Janssen Pharmaceutica NV dhe Pfizer-BioNtech.
KE thotë se aktualisht po sheh mundësinë për “bisedime të suksesshme” edhe për vaksinën më të fundit, Moderna, që ka rezultuar me sukses rreth 95% të rasteve të testuara.
Nga zyrat për shtyp të KE-së është thënë se Bashkimi Evropian është në bisedime për të siguruar parablerjen e 160 milionë dozave të vaksinës Moderna. Kontrata e mundshme thuhet se parashikohet të ndahet me dy blerje nga 80 milionë doza.
“Jam e ngazëllyer të deklaroj marrëveshjen e re me një kompani premtuese evropiane. Komisioni ka siguruar deri më sot të paktën 1.2 miliardë doza që përmbushin angazhimin e saj për t’u siguruar qasje të barabartë dhe të sigurt, efektive dhe të përballueshme jo vetëm qytetarëve të BE-së, por edhe për njerëzit më të varfër. Shumë nga këto vaksina kandidate janë në faza të avancuara të testeve klinike, shpresoj që autoritetet [shëndetësore] do t’i konfirmojnë këto rezultate pozitive, e më pas ato do të zhvillohen me shpejtësi duke na ndihmuar që ta tejkalojmë këtë pandemi,” – u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
CureVac, është një kompani me seli në Gjermani. Ajo më 6 korrik nënshkroi me Bankën Evropiane të Investimeve një hua prej 75 milionë eurosh e cila parashikonte zhvillimin e mundshëm të logjistikës për prodhimin në masë të një vaksine ndaj COVID-19.
KE kontribuoi në muajt maj dhe nëntor me rreth 500 milionë euro fonde në mbështetje të strukturës së ashtuquajtur COVAX, e cila ka si synim reagimin e përbashkët dhe të gjithanshëm ndaj pandemisë në mbarë botën.
Pjesë e kësaj nisme është bërë edhe Shqipëria, e cila njëjtë sikurse vende të tjera jashtë BE-së pret që të përfitojë qasje të barabartë në vaksinën anti-COVID.