Ermal Meta, këngëtari shqiptar, pjesëmarrës në Sanremo 2017, ka rrëmbyer vendin e tretë në festivalin më të rëndësishëm të Italisë.
Kënga e tij ‘E ndaluar të vdesësh’ (Vietato Morire) është vlerësuar maksimalisht nga juria dhe publiku.
Por përveç kësaj renditje ai ka rrëmbyer edhe dy çmime të tjera në këtë festival, vlerësuar nga kritika për tekstin dhe mesazhin e këngës.
Tashmë djali nga Fieri ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në shtetin fqinj në fushën e muzikës, pasi ai njihet jo vetëm si këngëtar por edhe si tekstshkrues dhe kompozitor.
Një zë brilant, me një tematikë mjaft aktuale në këngën e tij, atë kundër dhunës në familje, Ermali ka korrur sukses në Sanremo 2017, duke na bërë të ndihemi krenarë.
Ndërsa vendin e parë e mori këngëtari Francesco Gabbani me këngën ‘Occidenatli’s Karma’.
Dhe Fiorella Mannoia me këngën e titulluar “Che sia benedetta” u rendit në vendin e dytë.
Ky ishte edicioni i 67-të i Sanremo-s, i cili këtë vit solli edhe një risi në prezantim, ku në krah të Carlo Contit nuk ishte një prezantuese sexy si çdo vit, por një moderatore e sukseshme dhe e dashur për italianët (por edhe për ne shqiptarët) siç është Maria de Filippi.