Aktualitet Greqia shton masat, mbyllet Kapshtica

Greqia shton masat, mbyllet Kapshtica

Qeveria greke ka vendosur që të mbyllë një pjesë të kufirit me Shqipërinë. Me masat e reja, emigrantët shqiptarë nuk do të kenë mundësi që të kalojnë në pikën kufitare të Kapshticës pasi do të jetë e mbyllur që prej ditës së premte në mëngjes.

Zëdhënësi i Greqisë, Stelios Petsas tha se kufiri me Shqipërinë do të qëndrojë hapur vetëm në doganën e Kakavijës. Gjithashtu, shteti helen ka vendosur të mbajë edhe nga një pikë doganore për të kaluar me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Të gjithë personat që duan të hyjnë në Greqi duhet të kenë një test negativ për Covid jo më shumë se 72 orë si dhe duhet të jenë subjekt i testit të shpejtë antigen që do të zhvillohet në kufi.

Ky vendim vjen si pasojë e rritjes së rasteve me Covid. Petsas tha se autoritetet shëndetësore do të rrisin testimet në Greqinë e veriut për të pasur një ide më të qartë të situatës epidemiologjike.

“Situata në vendin tonë mbetet kritike. Pozitiviteti i rasteve në disa zona të Greqisë veriore mbetet i lartë”, tha ai.