Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden feston në 20 nëntor ditëlindjen e tij të 78-të. Si figurë e hershme e jetës politike në Uashington, zoti Biden ka treguar një interesim të madh për çështjet ndërkombëtare. I hedhim një vështrim karrierës së tij.
Joseph Biden u zgjodh në Senat në vitin 1972 kur ishte 29 vjeç.
Disa javë më vonë, familja e tij u godit nga tragjedia. Gruaja dhe vajza e tij e vogël humbën jetën në një aksident me makinë, ndërsa dy djemtë u plagosën rëndë.
Zoti Biden mendoi të hiqte dorë nga vendi i tij në Senat, por pastaj vendosi të qëndrojë.
Ai kaloi 35 vjet në Kongres, ku ka qenë një zë i njohur për çështjet e politikës së jashtme.
Zoti Biden është takuar me shumë figura politike ndërkombëtare, përfshirë ish-presidentin çek Vaclav Havel.
Ai kandidoi dy herë pa sukses për president, duke përfshirë garën e vitit 2008, prej nga u tërhoq pas zgjedhjeve paraprake në Iowa.
Në vitin 2008, kandidati demokrat për president Barack Obama e zgjodhi atë si kandidat për nën president, duke marrë parasysh përvojën e gjatë të zotit Biden.
Donald Trump, i cili në atë kohë njihej si manjat i pronave të patundshme dhe si ylli i spektaklit televiziv The Apprentice, u pyet se ç’reagim kishte për emërimin e zotit Biden si kandidat për nënpresident:
“Ishte një zgjedhje e pazakontë dhe shumë njerëz mendojnë se do të jetë interesante. Të shohim se ç’do të ndodhë,” tha ai.
Gjatë administratës Obama, nënpresidenti Biden e vazhdoi punën diplomatike.
Ai vizitoi Kosovën në vitin 2009 dhe më pas në 2016, kur mori pjesë në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e djalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden.
Zoti Biden tha se ripajtimi është i domosdoshëm, duke inkurajuar udhëheqësit e Kosovës që të përmbyllin çështjet që lidhen me fqinjësinë e mirë dhe të forcojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Demokracia e vërtetë është një proces që kërkon punë të vazhdueshme. Çdo qytetar ka për detyrë të votojë, të jetë i angazhuar dhe të ndihmojë tjetrin,” tha ai.
Në nëntor 2016, dy mandatet e Presidentit Obama u pasuan nga fitorja e zotit Trump për republikanët, që habiti shumë njerëz. Kandidati Trump mposhti me rezultat të ngushtë rivalen demokrate Hillary Clinton.
Presidenti Trump ndoqi politikën Amerika e Para, brenda dhe jashtë vendit.
Zoti Biden kandidoi përsëri për Shtëpinë e Bardhë dhe fitoi garën brenda demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.
Fushata e Presidentit Trump e akuzoi atë për përdorimin e lidhjeve të tij në Ukrainë në favor të biznesit të të birit.
Gjatë debatit të fundit presidencial, Presidenti Trump pretendoi se djali i zotit Biden, Hunter kishte marrë rrogë të majme nga një firmë ukrainase.
Zoti Biden u përgjigj se akuza ishte hetuar disa herë dhe se nuk kishte patur ndonjë shkelje.
Një hetim i Senatit i udhëhequr nga republikanët nuk gjeti prova për shkelje nga ana e zotit Biden në lidhje me Ukrainën.
Gjatë më shumë se 30 viteve në Senat, zoti Biden ka kryesuar disa komisione, si ai i marrëdhënieve me jashtë dhe i gjyqësorit.
Ai ka premtuar se do ta udhëheqë vendin në një rrugë shumë të ndryshme nga ajo e katër viteve të shkuara nën Presidentin Donald Trump, për çështje që variojnë nga koronavirusi dhe kujdesi shëndetësor te mjedisi, arsimi dhe politika e jashtme.
Zoti Biden mbështet një strategji për të luftuar kundër militantëve ekstremistë jashtë vendit me forca speciale dhe sulme ajrore, në vend të dërgimit të trupave amerikane në terren.
Ai ka mbështetur disa ndërhyrje ushtarake amerikane, përfshirë atë në Irak në vitin 2003, për të cilin tani thotë se ishte një gabim. Ai anon nga diplomacia dhe nga zgjidhjet përmes aleancave dhe institucioneve globale.
Zoti Biden është një mbështetës i fortë i NATO-s. Ai ka paralajmëruar se Moska po shkatërron themelin e demokracisë perëndimore duke u përpjekur të dobësojë NATO-n, të ndajë Bashkimin Evropian dhe të minojë sistemin zgjedhor amerikan.
Ai thotë gjithashtu se Rusia po përdor institucionet financiare perëndimore për të pastruar miliarda dollarë dhe për të ndikuar politikanët.
Presidenti i zgjedhur Biden ka bërë thirrje për rritjen e pranisë amerikane në Azi-Paqësor dhe forcimin e aleancave me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Indonezinë.
Ai bashkohet me Presidentin Trump në dëshirën për t’i dhënë fund luftërave në Lindjen e Mesme dhe në Afganistan, por mendon se SHBA duhet të mbajnë një forcë të vogël atje për t’iu kundërvënë terrorizmit.
Ai thotë se vendimet e zotit Trump për të dalë nga traktatet dypalëshe dhe ndërkombëtare si marrëveshja bërthamore me Iranin apo marrëveshja e Parisit për klimën, kanë bërë që vendet e tjera të dyshojnë tek fjala e Uashingtonit.
Zoti Biden ka shprehur dëshirën për t’i ftuar të gjitha vendet demokratike në një samit për të diskutuar se si të luftohet korrupsioni dhe autoritarizmi dhe si të mbështeten të drejtat e njeriut.
Ai ka shprehur mbështetje “të hekurt” për Izraelin dhe është për një zgjidhje me dy shtete në konfliktin e gjatë midis Izraelit dhe Palestinezëve. Ai thotë se do ta mbajë në Jeruzalem ambasadën amerikane, të cilën Presidenti Trump e zhvendosi atje nga Tel Avivi.
Presidenti i zgjedhur e ka kritikuar diplomacinë e Presidentit Trump ndaj Kim Jong Unit, duke thënë se diplomacia e bisedimeve “kokë më kokë” i dha legjitimitet udhëheqësit të Koresë së Veriut dhe nuk e ka bindur Phenianin të heqë dorë nga armët e tij bërthamore./VOA