Politika Rama homazh për Bashkim Koplikun: Do të më mungojnë mesazhet e mikut...

Rama homazh për Bashkim Koplikun: Do të më mungojnë mesazhet e mikut që s’e takova kurrë

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka kryer homazh për ish-zv/kryeministrin Bashkim Kopliku, i cili u nda nga jeta të shtunën pasi humbi betejën me koronavirusin. Edhe pse nuk janë takuar asnjëherë, Rama thotë se ai i shkruante herë pas here opinionin kritik për disa punë të caktuara.

Edhe pse zv/kryeministër për PD-në, Rama shkruan se Kopliku përbuzi selinë blu si mospajtim me mungesën e identitetit të Pd-së si parti e djathtë.

“Bashkim Kopliku u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes ëhatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opinionin e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike. Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë. Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës. Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar. U prehsh më në fund në paqe miku im”, shkruan Rama.

Kopliku humbi jetën në moshën 77-vjeçare. Ai ishte shtuar në spital, pasi përgjigja e tamponit kishte dalë pozitive dhe gjendja e tij kishte nisur të përkeqësohet.

Ish-zv/Kryeministri nuk mundi të përmirësohej, por gjendja e tij u përkeqësua dita-ditës deri sa virusi i mori dhe jetën.

Kopliku, u lind më 15 Korrik 1943 në Shkodër dhe ka qenë me profesion inxhinier. Po ashtu Kopliku ka qenë i angazhuar në politikë pas viteve 90’ dhe ka qenë një figurë historike e PD, pasi ka qenë zv/kryeministër dhe ministër i Brendshëm në qeverinë e parë të udhëhequr nga PD pas vitit 1992.

Ai është zgjedhur dy herë deputet në parlament si dhe ka mbajtur edhe poste të tjera, ndër të cilat edhe kryetar i Bashkisë së Durrësit. Është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”, nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, si dhe ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës në 1991-92.

Gjatë karrierës së tij të gjatë ai ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në fushën e elektronikës.