Kryetari i PD, Lulzim Basha, falenderoi deputetin dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimin për kontributin e tij në politikë, pasi ky i fundit njoftoi sot se do të dorëzonte mandatin e deputetit për t’iu përkushtuar avokatisë.
Basha shkruan në Facebook se ka dëshirë për t’a pasur Halimin pjesë të ekipit, por duhet respektuar liria e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.
Postimi i Bashës:
Eduart Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë. Dëshira ime për ta patur pjesë të ekipit, të grupit parlamentar të PD ishte e madhe, por po kështu edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.
Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë, dhe në opozitë po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetueshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Shpreh falenderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar, dhe bashkë me urimet e mija më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë ti shërbejë ligjit dhe vendit.