Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat ka bërë me dije se shkollat nuk do të mbyllen, për sa kohë ky nuk është një sugjerim apo vendim i autoriteteve shëndetësore.
Rama në fjalën e tij deklaroi se situata po vlerësohet në mënyrë maksimale dhe rezulton se shkollat nuk janë vatra të infeksionit.
“Dua të theksoj dhe njëherë se çfarë hapet dhe çfarë mbyllet është përgjegjësi e autoriteteve tona të autorizuara që kanë të gjithë ekspertizën dhe autoritetin ligjor që të marrin vendime në këto kohë të vështira.
Sipas të gjitha të dhënave dhe ndjekur të gjitha orientimet e autoriteteve shkencore, shëndetësore në të gjithë vendet që ne i ndjekim me shumë vëmendje për të mësuar sa më shumë shkollat nuk konsiderohen një vatër e nxehtë por një hapësirë që si të gjitha hapësirat e tjera kanë patjetër dhe potencialin e tyre të rrezikut.
Nga njëra anë është shumë e rëndësishme që masat të zbatohen nga çdo shkollë, siç po ndodh, që personeli drejtues dhe pedagogjik të jetë sa më i durueshëm dhe këmbëngulës në zbatimin e tyre dhe nga ana tjetër ajo çka kam dëgjuar nga ekspertët tanë është që në vlerësimet e përgjithshme që bëhen lidhur me shkollat, domosdoshmëria për të mbajtur një ekuilibër midis këtij aspekti, mbrojtjes së drejtpërdrejt dhe mbrojtjes psikologjike të fëmijëve është në rendin e ditës të kësaj vendimmarrjeje.
Është një vendimmarrje në dorë të autoriteteve tona, nuk më takon mua, nuk na takon neve“, tha Rama.
Ndërkohë një ditë më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve u shpreh se shkollat nuk do të mbyllen pasi nuk janë një vatër infeksioni.