Dhimbje dhe lot në Argjentinë, ku njerëzit i japin lamtumirën simbolit të tyre. Afeksioni dhe pasioni i pafund për “Pibe de Oro” ka lënë mënjanë lodhjen e krijuar nga emergjenca sanitare e shkaktuar nga pandemia, duke i dhënë jetë një nate të gjatë homazhesh në rrugët e Buenos Airesit. Mijëra njerëz janë mbledhur në pikat nevralgjike të kryeqytetit dhe në vendet simbol të jetës së Maradonës, nga shtëpia e fëmijërisë në Vila Fiorito deri te stadiumi i Argentinos Juniors (skuadra e tij e parë).
Një turmë gjigante ka pushtuar rrugët drejt qendrës, për të formuar pastaj një radhë të stërgjatë përpara pallatit presidencial për t’i dhënë lamtumirën Maradonës. Deri në orën e varrimit pritet që aty të jenë rreth 1 milion njerëz. Një nga momentet më prekëse të natës së gjatë që përjetoi Buenos Airesi ishte ai i orës 22:00, kur i gjithë vendi ndaloi për një duartrokitje në unison.
Mesazhet ngushëlluese për vdekjen e Maradonës vazhdojnë nga e gjithë bota. “Bombonera”, stadiumi mitik i Bokës së tij, gjithë natën ka ndriçuar nga dritat, veçanërisht në vendin që ishte rezervuar për të.
Bianki dhe Valdano
“E kam shumë të vështirë të flas për Diegon. Ai ishte i madh në gjërat e thjeshta, ishte gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të rinjtë dhe shokët e skuadrës. Kur ishim vetëm, mundohesha t’i flisja për të qenë më i kujdesshëm në jetën e tij dhe ai me sytë ulur më dëgjonte. Kujtoj që i kam thënë se rrezikonte të përfundonte keq, ai më pa dhe më tha se donte ta jetonte jetën me shpejtësi maksimale”. Janë fjalët e Otavio Biankit, ish-trajner i Napolit. “Më vjen shumë keq që përfundoi kështu, shpresoja ta bënte edhe driblimin e fundit”, – ka shtuar Bianki.
Horge Valdano është shfaqur i përlotur përpara mikrofonëve. “Dhimbja më ka pushtuar”, – ka thënë ish-shoku i skuadrës pas ndeshjes së djeshme të Ligës së Kampionëve në Milano. Sytë e mbushur me lot dhe zëri që i dridhej e detyruan ish-kampionin argjentinas ta ndërpriste intervistën në lidhje direkt.
Kampionati me emrin e tij
Në Argjentinë ndërkohë ka një ide për t’i ndryshuar emrin kampionatit për nder të “Pibe de Oro”. Edhe federata argjentinase është dakord për këtë ndryshim dhe pritet që kampionati të quhet “Kupa Diego Armando Maradona”. Po diskutohet edhe mundësia për të shtyrë ndeshjet e javës së 5-të, të programuara për në fundjavë.
Ish-mjeku i Maradonës hedh akuza të forta
Autopsia ka konfirmuar shkakun e vdekjes së Maradonës. Ataku kardiak akut i ka marrë jetën argjentinasit, por ish-mjeku i tij, Alfredo Cahe, ka hedhur akuza të forta. “Një vdekje e pazakontë, në sensin që Maradona nuk është kuruar. Para së gjithash, ai duhej të qëndronte i shtruar në spital. Nuk ka mundësi që një pacient në gjendjen e tij të dalë nga spitali një javë pas asaj lloj ndërhyrjeje kirurgjikale. Ta çosh në shtëpi pas një jave, është një budallallëk. Ai duhej të kishte një mjek që ta ndiqte nga afër dhe ta ndihmonte në rast emergjence. Dhe kjo nuk ka ndodhur”, – ka theksuar Cahe, duke akuzuar mjekët e spitalit ku Maradona kreu ndërhyrjen kirurgjikale në kokë disa ditë më parë.