Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot njëvjetorin e tërmetit shkatërrues që tronditi vendin tonë. Në një deklaratë për mediat nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit te Gjakut, kreu i shtetit shprehu solidaritetin për të gjithë ata banorë të mbetur në çadra dhe kushte të vështira, të cilët sipas tij mund të preken lehtësisht nga koronavirusi.
“Solidaritet të thellë për ata banorë, që një pjesë e tyre jetojnë në kushte të vështira dhe pse dimri ka hyrë dhe mund të jenë të rrezikuar nga prekja e Covid. Të shtohen përpjekjet për të qenë pranë tyre”.
Meta bëri apel për transparencë dhe ndëshkim për të gjithë përgjegjësit për cilësinë e dobët të banesave shkatërruar, duke lënë mënjanë propagandën.
“Sa më pak propagandë sa më shumë punë dhe transparencë për të ndëshkuar të gjithë ata që mbajnë përgjegjësinë për cilësinë e dobët të banesave që u shkatërruan një vit më parë”.
Në tërmetin e 26 nëntorit humbën jetën 51 persona, mes tyre gra dhe fëmijë si edhe u plagosën qindra të tjerë. Shumë banesa dhe prona në Tiranë, Durrës, Kurbin dhe Kavajë u shkatërruan.