Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në familjen e Bujar Çukës në Thumanë 1 vit pas tërmetit të 26 nëntorit.
Familja e Bujar Çukës ka jetuar në një nga pallatet e Thumanës që u shembën nga tërmeti i vitit të kaluar. Aktualisht Bujari dhe vajza e tij Megi, të vetmit e mbijetuar të tragjedisë jetojnë në një shtëpi në zonën e Don Boskos. Sot, 1 vit pas ngjarjes së rëndë që i mori jetën nënës dhe vëllait, vajza e mbijetuar Megi ka vetëm një apel: Drejtësi për vëllain dhe mamanë që vdiqën në pallatet e Thumanës.
Ndërkohë Bujari, një vit pas ngjarjes që i mori djalin dhe gruan, ka pengun e madh që askush nuk i dha zgjidhje për banesën e dëmtuar që në tërmetin e 21 shtatorit.
“Ra tërmeti i 21 Shtatorit u shkatërruan komplet. Erdhëm për së dyti. I thashë: pse keni ardhur? Kemi ardhur si stafi i bashkisë, erdhëm me pa dëmet. Më tha: e kemi seriozisht, do bëjmë diçka për ju,- tha. Më thirrën te minibashkia, duhet të dalësh nga shtëpia se tha, shtëpia e pabanueshme. Pastaj gjej shtëpi me qira. Gjeta shtëpi me qira, kam pritur një muaj, dy muaj s’u bë asgjë hiç edhe ja ku jemi sot. S’do të ishim në këto kushte po të ishin treguar pak të kujdesshëm ato”, u shpreh ai.
Basha ngushëlloi të gjithë familjet që humbën të dashurit e tyre më tërmetin e 26 nëntorit dhe premtoi se do të bëjë gjithçka që t’i jepet fund kësaj katastrofe dhe njerëzit e dëmtuar të marrin zgjidhje.
“Dua të zotohem, sot në 1 këtë vjetor të tërmetit, se do bëjmë gjithçka që t’i japim fund kësaj katastrofe në vazhdim. Do të bëjmë gjithçka që njerëzit e dëmtuar nga tërmeti të marrin ndihmën e merituar dhe jo vetëm fjalë e premtime boshe. E di që kjo është një ditë shumë e trishtë për mijëra familje shqiptare, e di që e sotmja i gjen me një situatë të pandryshuar për disa muaj që pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit”, tha Basha.