Kuriozitete Dita e Falenderimeve, historia e festës së veçantë

Dita e Falenderimeve, historia e festës së veçantë

Në vjeshtën e vitit 1621, pelegrinët festuan të korrat e para të suksesshme duke qëlluar me pushkë dhe topa në Plimuth të shtetit Masaçusets. Zhurma e armëve alarmoi banorët autoktonë, paraardhës të fisit të sotëm Uampanoag, të cilët shkuan për të parë se ç’kishte ndodhur.

Në këtë mënyrë, vendasit u bënë të pranishëm në festën e parë të Falenderimeve, thotë Ramona Peters, zyrtare e muzeut historik të Fisit Mashpee Uampanoag, e cila aludon se pikturat që përcjellin një moment festimesh ku amerikanët vendas janë ulur para një tryeze me ushqime të bollshme dhe në harmoni me të sapo-ardhurit nga Evropa, janë në thelb një gënjeshtër.

“Burrat e fisit Uampanoag, nuk ishin të sigurtë nëse ajo që u ishte thënë ishte në fakt e vërtetë, kështu që qëndruan aty për disa ditë. Ata ngritën çadra jashtë,” thotë Ramona Peters. “Pra, pati shumë tension, megjithë këta burra, luftëtarë, që ishin pranë, në pyll”.

Ndërsa fisi Uampanoag mund të ketë ndarë ushqime me pelegrinët gjatë asaj mbrëmjeje, ata gjithashtu ishin në gjueti për ushqim.

Sipas ekspertëve në plantacionin Plimuth, ushqimet që u shtruan në darkën e parë të Falenderimeve ishin ndryshe nga gjeli i detit, patatet e skuqura dhe misrat e zierë, gatimet e njohura sot si trandicionale të kësaj feste.

“Ne dimë se kishte plot gjela të egër në Koloninë e Plimuthit, por nuk dimë me siguri nëse u shërbyen në atë darkë”, thotë përmes emailit për Zërin e Amerikës, Kate Sheehan e Plantacionit Plimuth. “Megjithatë, ka shumë mundësi që kjo të ketë ndodhur. Kishte edhe ushqime të tjera si midhje, peshq e ngjala”, thotë ajo.

Plantacioni Plimuth përpiqet të rikrijojë vendbanimin origjinal të kolonëve anglezë në shekullin e 17-të dhe jep supozime se çfarë ushqimesh mund të jenë shtruar në tryezën e Falenderimeve për here të parë në Amerikë.

“Kopshtet angleze prodhojnë lakra, karrota, tranguj, turnip, panxhar, qepë, rrepka, marule dhe spinaq, si dhe majdanoz, borzilok, kopër, etj.”, thotë Kate Sheehan. “Gratë e fisit Uampanoag dhe ato angleze gjithashtu kultivonin fasule dhe kunguj”.

Ushqime të tjera në atë periudhë të vitit përfshinin argjinoret, qepët e egra, hudhrat, rrushin, arrat dhe gështenjat.

“Banorët vendas gjithashtu thanin fruta për t’i ngrënë më vonë dhe i ruanin ato për përdorim gjatë gjithë vitit,” thotë Kate Sheehan.

Megjithëse amerikanët tani e festojnë Ditën e Falenderimeve të enjten e katërt të nëntorit, historianët nuk mund ta përcaktojnë datën e saktë se kur u festua për herë të parë Dita e Falenderimeve.

“Ne e dimë se u zhvillua për tre ditë diku midis mesit të shtatorit dhe fillimit të nëntorit të vitit 1621 dhe u konsiderua si një festë e të korrave pas një mbjelljeje të suksesshme të misrit”, thotë zyrtarja e muzeut në plantacionin Plimuth.

Në vitin 1863, gjatë Luftës Civile, Dita e Falënderimeve u bë një festë kombëtare. Presidenti Abraham Lincoln nxiti idenë për një Ditë Falenderimesh për arsye strategjike.

Një grua me emrin Sarah Josepha Hale, redaktore e një reviste për gratë, ndikoi për të bindur presidentin Lincoln se një festë kombëtare për dhënien e Falenderimeve do të ndihmonte të bashkonte vendin e dërrmuar nga lufta.

“Ishte një lëvizje sociale-politike që përpiqej të bashkonte Veriun dhe Jugun pas Luftës Civile duke shënuar këtë festë kombëtare”, thotë Ramona Peters e fisit Uampanoag. “Ishte ideja e tyre për të pasur këtë festë kombëtare për të shprehur falenderime dhe popullariteti i saj u rrit me kalimin e kohës, por në të vërtetë ishte një lëvizje shumë e zgjuar për të krijuar diçka për të bashkuar familjet. Në Luftën Civile shumë familje u përçanë, vëllai u ngrit kundër vëllait”.

Sot, trashëgimtarët e banorëve autoktonë të Amerikës e shënojnë ditën e Falenderimeve në mënyra të ndryshme. Disa e konsiderojnë atë një ditë zie duke pasur parasysh kolonizimin e shpejtë dhe zhvendosjen e anëtarëve të fisit të tyre. Të tjerë mblidhen me familje, por pa patur në mendje pelegrinët.

Ramona Peters thotë se banorët vendas festojnë një numër ditësh falënderimi gjatë gjithë vitit. Ata kanë shumë gjëra për të falenderuar. Falenderimi është një pjesë e madhe e jetës shpirtërore të anëtarëve të fisit Uampanoag, shton ajo.

Fisi, i njohur edhe si “Njerëzit e Dritës së Parë”, ka një numër arsyesh për të falenderuar këtë vit.

“Ne do të jemi mirënjohës për tokën që është në kujdesin tonë, për foshnjet e porsalindura në fisin tonë. Ne jetojmë pranë oqeanit, kështu që jemi Njerëzit e Dritës së Parë, prandaj do t’i përcjellim falenderime edhe gjirit të oqeanit ku jetojmë”. /VOA