Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi sot banorët e Anglisë kundër thyerjes së kufizimeve të fundit antiCOVID-19, përndryshe rrezikojnë të përballen me një bllokim të ri mbarëkombëtar në Vitin e Ri.
“Keni parandaluar mbingarkimin e sistemit të kujdesit shëndetësor”, tha Johnson duke lavdëruar ata që u ishin përmbajtur rregullave gjatë një bllokimi mbarëkombëtar në nëntor.
“Megjithatë, nëse lehtësojmë masat tani, rrezikojmë ta humbasim sërish kontrollin mbi këtë virus, duke lënë mënjanë fitoret tona të arritura me vështirësi dhe duke na detyruar të kthehemi në një bllokim kombëtar gjatë vitit të ri me të gjitha dëmet që parashikon ai”, shtoi kryeministri britanik para gazetarëve.
Komentet e Johnson-it vijnë menjëherë pas paraqitjes së kufizimeve antiCOVID-19 nga qeveritë angleze dhe skoceze gjatë sezonit të ardhshëm festiv.
Anglia nën kufizime të rrepta pas përfundimit të bllokimit kombëtar
Pothuajse 99% e 56 milionë banorëve të Anglisë do të vazhdojnë të jetojnë nën kufizime të rrepta pas mbarimit të bllokimit në fillim të dhjetorit, njoftoi sot qeveria britanike, duke detajuar strategjinë e saj lokale kundër pandemisë.
Pas një muaji bllokim të përgjithshëm, që përfundon në 2 dhjetor, Anglia do t’u kthehet kufizimeve të vendosura në vend, në varësi të incidencës së virusit, sipas sistemit me tre nivele të ashpërsisë.
“Tani jemi në një situatë shumë më të mirë, sesa para hyrjes në fuqi të bllokimit, por rreziku nuk është zhdukur dhe këto masa të ashpra janë mënyra më e mirë për të shmangur ripërtëritjen e rasteve pas Vitit të Ri”, tha kryeministri Boris Johnson, në një konferencë shtypi.
Në të gjithë Anglinë, bizneset jothelbësore do të jenë në gjendje të rihapen dhe udhëzimet e qëndrimit në shtëpi do të hiqen.
Puna në telefon do të mbetet e rekomanduar në të gjitha rastet.
Por në zonat e vendosura në nivelin më të lartë të gatishmërisë, të tilla si Birmingham, Manchester, Newcastle, Bristol dhe Leeds (23 milionë banorë në total), pub-et dhe restorantet do të mbeten të mbyllura dhe do të ofrojnë vetëm porosi me vete ose dërgesa.
Do të jetë e ndaluar të takohen familjarë që nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi, brenda ose jashtë, me përjashtime të tilla si në parqe.