Pas lajmeve që kanë qarkulluar ditët e fundit në Kosovë, për një dorëheqje të kryeministrit Avdullah Hoti, ka reaguar vetë ky i fundit duke i përgënjeshtruar të gjitha informacionet.
Në një postim në Facebook, Hoti thekson se informacionet që po qarkullojnë në mediat janë të pavërteta.
“Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta. Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid-19”, shkruan ai.
Ndërsa për çështjen e shumëpërfolur të zgjedhjes së Presidentit në Kosovë, Hoti thotë se partitë kanë dy opsione, atë me konsensus ose të dakordëson për datën e zgjedhjeve.
“Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion”, u shpreh kryeministri.