Virusi SarsCoV2 ndryshon, por deri më tani nuk duket se është bërë më ngjitës për njerëzit, sipas një studimi të koordinuar nga University College London (Ucl) dhe i botuar në revistën “Nature Communications”.
Analiza, e kryer mbi gjenomet virale të marra nga mbi 46 000 pacientë COVID në 99 vende të botës, dokumenton më shumë se 12 000 mutacione, por asnjë nuk duket se i ka dhënë një përparësi të veçantë evolucionare koronavirusit.
“Monitorimi i vazhdueshëm do të jetë gjithashtu thelbësor në muajt e ardhshëm, në mënyrë që vaksinat e ardhshme të përshtaten për çdo formë të ndryshuar”, shpjegojnë ekspertët.
“Në këtë fazë, ne duhet të qëndrojmë vigjilentë, sepse vaksina mund të rrisë presionin selektiv mbi virusin, duke favorizuar shfaqjen e formave të reja të ndryshuara”, shtojnë ata.
“Ne jemi të bindur se do të jemi në gjendje t’i identifikojmë ato në mënyrë që t’i përshtatim vaksinat në kohë, nëse është e nevojshme”, siguroi koordinatori i studimit, Francois Balloux, nga Ucl.
Sipas imunologes Antonella Viola, në Universitetin e Padovës, SarsCov2 është mjaft i qëndrueshëm: shfaqen herë pas here variante, por, tani për tani, ai që është përhapur te ne është gjithmonë i njëjti.
Deri më tani, janë identifikuar 12 706 mutacione në gjenomën SarsCoV2, kryesisht të induktuar nga veprimi i sistemit imunitar të njeriut.