Nga Edward S.Steinfeld – The Atlantic
Në verën e vitit 1966, Mao Ce Dun -“babai” i Revolucionit Kinez, kryetari i Partisë Komuniste Kineze dhe udhëheqësi i Republikës Popullore të Kinës – u bëri thirrje qytetarëve kinezë të ngriheshin në revoltë kundër vetë qeverisë dhe partisë që ai vetë kishte krijuar. “Bombardoni selitë e partisë!”- u tha ai.
Disa muaj më herët, mes mbështetësve së radikalëve të Maos, ku asnjëri prej tyre nuk mbante poste zyrtare në hierarkinë Komuniste, kishin qarkulluar teori konspirative të çuditshme rreth komplotit kundërrevolucionar dhe klikave anti-Mao në rangjet më të larta të sistemit kinez, në të cilin partia dhe shteti ishin një.
Në pamundësi për ta shtypur atë “rebelim” përmes kanaleve mediatike shumë të burokratizuara dhe të kontrolluara fort nga qendra e partisë në Pekin, radikalët, me nxitjen e Maos, i botuan pretendimet e tyre në një gazetë të Shangait, që ndodhet larg kryeqytetit të vendit.
Në fundin e majit të vitit 1966, Nie Yuanzi, një profesoreshë mediokre në Universitetin e Pekinit, akuzoi publikisht udhëheqjen e universitetit, dhe më pas udhëheqjen e Partisë Komuniste të Pekinit, për mos–kontrollimin e “borgjezisë” dhe përfshirjen në një kundërrevolucion, që në atë kohë ishte krimi më i rëndë.
Akuzat e saj të botuara në gazetën e universitetit, nuk i shpëtuan kryetari Mao që e mbështeti sulmin e pabazë. Por ishte thirrja e tij më5 gusht për të “bombarduar selitë”, ajo që i vuri flakën vendit. Kërcënimi i vërtetë për mbijetesën e kombit, thoshte Mao, nuk ishin më pengesat e rendittë vjetër – kapitalistët, pronarët, konfucianistët.
Dhe as ish-aleatët e Kinës, sovjetikët. Përkundrazi, sipas tij kërcënimi ekzistencial ndodhej në zemër të vetë Partisë Komuniste, në atë që sot do të quhej “shteti i thellë”. Duke e shijuar përçarjen, Mao u bëri thirrje të rinjtë të ngriheshin. Dhe ata u ngritën.
Nga gushti deri në nëntorin e vitit 1966, miliona të rinj kinezë u dyndën në kryeqytet për të marrë pjesë në tubime të mëdha. Me Librin e Kuq në dorë, ata mbushën Sheshin Tiananmen, për t’i shprehur besnikërinë e tyre të palëkundur ndaj sundimit të Maos. Ata bërtisnin “Dhjetë mijë vjet na u bëftë Kryetari Mao!”
Që ditën e parë të thirrjes së Maos, studentët e shkollave rrahën për vdekje sekretarin e partisë së shkollës së tyre, Bian Zhongyun. Gjatë 8 javëve të ardhshme, vrasjet e këtij lloji do të përsëriteshin thuajse 1.800 herë vetëm në Pekin. Dhe këtu nuk llogariten vetëvrasjet, rrahjet dhe të gjitha lëndimet e tjera të rënda.
Ai ishte vetëm fillimi. Nga vjeshta e vitit 1966 dhe gjatë gjithë vitit 1967, dhuna u përhap në gjithë qytetet e Kinës. Bandat e radikalëve u përpoqën të uzurponin pushtetin lokal. Agjencitë qeveritare u plaçkitën. Zyrtarët e partisë u lidhën, u poshtëruan në publik, dhe u hodhën para turmës, me disa që nuk do të mbeteshin gjallë.
Në vendet e punës, lagjet, madje edhe qytete të tëra u zhytën gati në një luftë civile ku fraksioni luftonte me fraksionin, kolegu shfrynte dufin ndaj kolegut, studentit ndaj studentit dhe në shumë raste, anëtari i familjes kundër anëtarit tjetër të familjes.
Qytetarët e radikalizuar shpërthyen depot ushtarake, duke u pajisur me armë automatike, bomba dore dhe copa artilerie. Edhe pse numri përfundimtar i të vdekurve është ende sot i paqartë, më shumë se 1 milion kinezë ka të ngjarë të kenë humbur jetën në atë kohë.
Ndërkohë, Mao u zhyt në një narcizëm të shfrenuar, duke u kënaqur me kaosin që kishte lëshuar mbi kombin e tij. Kur dhuna filloi të përhapej, kryetari i dërgoi një letër gruas së tij, ku ndër të tjera shprehej: “Nën qiell ka një kaos të madh. Situata është e shkëlqyer!”. Pesë muaj më vonë, mbrëmjen e ditëlindjes së tij në dhjetor 1966, ai do të ngrinte një dolli: “Për shpalosjen e luftës civile mbarëkombëtare!”.
Në retrospektivë, adhurimi i kaosit nga Mao, dhe indiferenca e tij ndaj masakrës së kryer në emër të tij, nuk duhet të ishte ndonjë befasi. Shenjtërimi prej tij i dhunës, dhe gatishmëria për të shkaktuar trazira ishin të dukshme tek ai nga fundi i viteve 1920 dhe fillimi i viteve 1930.
Po aq e dukshme ishte mospërfillja e tij organike për shtetin, përbuzja e tij për ekspertizën, urrejtja ndaj administratës burokratike, dhe padurimi i tij për të sjellë ndryshim në situatat e lidhura me rregullat, ligjet dhe institucionet. Deri më sot, kinezët që e jetuan atë periudhë, Revolucionim Kulturor, e kanë brendësuar një leksion të qartë:Ata e dinë se të gjitha institucionet në dukje të pandryshueshme të shoqërisë – rregullat, strukturat e autoritetit, hierarkitë shoqërore, policia , forcat e armatosura dhe gjithçka tjetër që duket kaq e parashikueshme dhe e papërshkueshme nga ndryshimi – nuk janë veçse struktura të brishta që mund të shpërbëhen sa hap e mbyll sytë.
Pse ka rëndësi kjo? Së pari, është e rëndësishme për të kuptuar Kinën e sotme. Sot Xi Jinping mund të shpallë gjithçka që dëshiron si “rilindjen e madhe të popullit kinez”. Ai mund të parakalojë para tankeve, të nxisë entuziazmin patriotik të qytetarëve të tij dhe të kënaqet me triumfalizmin.
Por edhe vëzhguesi më i rastësishëm mund të dallojë anën e errët: dëshirën e tij të madhe për të shtypur çdo lloj disidence të mundshme, dhe kësisoj trazirat e mundshme, kudo ku ato mund fshihen, qoftë në kishat ungjillore të paregjistruara, lëvizjen kineze #MeToo, kulturën dhe identiteti popullit ujgur, apo dëshirën e qytetarëve të Hong Kongut për të ruajtur të drejtat e tyre themelore civile.
Xi e promovon solidaritetin, por nën të fshihet frika se‘ngrehina” e harmonisë dhe forcës është e brishtë dhe mund të shembet në çdo moment. Por nuk është kjo arsyeja kryesore pse amerikanët duhet ta kuptojnë se çfarë bëri Mao në vitin 1966.
Unë kam nisur t’a studioj Kinën që kur isha student në mesin e viteve 1980 dhe tani bëj 25 vjet në një karrierë si profesor i studimeve kineze. Gjatë kësaj kohe, jam prekur vazhdimisht nga intensiteti, drama dhe tragjedia e madhe e historisë kineze. Por nga ana tjetër kam përfituar nga mençuria e miqve, kolegëve dhe mentorëve kinezë.
E megjithatë, përvoja e kombit të tyre më dukej gjithnjë kaq shumë e ndryshme dhe e largët nga ajo e kombit amerikan. Kjo deri më sot. Tani në SHBA, unë jam dëshmitar i gjërave që nuk mendoja kurrë se do t’i shihja në vendin tim, por që janë ogurzeza dhe të kujtojnë përvojën kineze.
Unë shoh një udhëheqës kombëtar që refuzon në mënyrë sfiduese institucionet më themelore të qeverisjes, ndërsa refuzon madje të lejojë një tranzicion paqësor të pushtetit. Unë shoh një udhëheqës kombëtar të nxisë teoritë më të çmendura konspirative në lidhje me institucionet publike të vendit.
Unë shoh liderë të ndryshëm, përfshirë presidentin Donald Trump, duke ndezur “zjarret” e inatit dhe urrejtjes brenda-shoqërore. Dhe shoh oportunistët dhe nxitësit që kënaqen me shkeljet e tyre të normave, duke përqafuar kaosin dhe duke pritur momentin e tyre.
Ndërsa ditët kalojnë dhe Trump refuzon të pranojë humbjen, ndërsa akuzat për votime “të manipuluara” po bëhen gjithnjë e më të zhurmshme dhe raciste-dhe nëse, Zoti na ruajt, presionet shoqërore shtohen aq shumësa që në rrugë shpërthen dhuna, duke i siguruar kështu Trumpit një mundësi për të shpallur një kryengritje – a do të dëshmohen institucionet tona më pak të brishta sesa ato të Kinës së epokës së Revolucionit Kulturor?
A janë amerikanët si popull shumë më të aftë, dhe më të sofistikuar, sesa kinezët në vitin 1966, për të bërë dallimin midis vijës së ngushtë që e ndan shoqërinë e civilizuar, nga gjendja e xhunglës?