Spitali “Shefqet Ndroqi” ka reaguar pas vetëvrasjes së pacientit me COVID-19. Në një njoftim për mediat spitali bën me dije pacienti ishte shtruar një ditë më parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2 dhe po trajtohej me terapinë e plotë të mjekimit.
Më tej stafi i spitali shpreh ngushëllimet për familjen e 60-vjeçarit dhe deklarojnë se lidhur me rastin po hetojnë organet kompetente.
“Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 60-vjeçarit me inicialet L.Sh., nga Kurbini i cili i dha fund jetës mbrëmë pas mesnate, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.
60-vjeçari i konfirmuar me COVID-19, ishte shtruar pasditen e datës 28 nëntor në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku iu kryen ekzaminimet imazherike dhe u trajtua me terapinë e plotë të mjekimit në pavionin e urgjencës. Më datë 29 pacienti është transferuar në pavionin e katit të parë (mbi katin përdhes) ku edhe ka kryer aktin e rëndë.
Lidhur me arsyet që e çuan 60-vjeçarin drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente. Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ka siguruar shërbimin e psikologut dhe ka shtuar masat e sigurisë.
Stafi mjekësor është në gatishmëri të plotë dhe i sigurojmë qytetarët se po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe profesionalizëm për çdo pacient që trajtohen në spitalin tonë”, është ky sqarimi i plotë i spitalit.