Aktualitet Kryebashkiaku i Roterdamit: Krimi shqiptar njëlloj si në çdo vend të botës,...

Kryebashkiaku i Roterdamit: Krimi shqiptar njëlloj si në çdo vend të botës, për vizat vendos BE

Roterdami njihet kohët e fundit si një nga pikat më të përdorura të klandestinëve që tentojnë kalimin ilegalisht në Britaninë e Madhe. Kryebashkiaku i këtij qyteti, Ahmed Aboutaleb, thotë se shumë prej tyre janë shqiptarë të cilët rrezikojnë edhe jetën për të kaluar në anën tjetër.

“Aktualisht 500 deri në 600 shqiptarë në vit rrezikojnë jetën e tyre për t’u futur ilegalisht në Britaninë e Madhe. Këta nuk janë kriminelë por njerëz të dëshpëruar. Shumicën e tyre i kemi kapur”.

I pyetur për një raport të policisë holandeze mbi kriminalitetin shqiptar që mund të çojë në pezullim të lëvizjes së lirë kryebashkiaku thotë se jo të gjithë shqiptarët janë kriminelë.

“Nuk mund të flas për mbërritjen e kriminelëve shqiptarë në Holandë, jo të gjithë shqiptarët janë kriminelë të jemi të sinqertë. Kemi një grup kriminelësh, por ka dhe nga ata që duan të mbërrijnë në Britaninë e Madhe. Krimi në Shqipëri është si krimi në çdo vend të botës. Sa i përket çështjes së vizave nuk është Holanda që e kundërshton, por BE, kështu që unë nuk jam përgjegjës për këtë”.

Kryebashkiaku ka theksuar se në Holandë e konsiderojnë Shqipërinë një vend të sigurt, duke iu drejtuar atyre që aplikojnë për azil se shanset për të përfituar janë thuajse zero.

Tv Klan