Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka deklaruar se kur të marrë detyrën do u kërkojë të gjithë amerikanëve të mbajnë maskën. Biden u shpreh se maska duhet të mbahet me detyrim për 100 ditë me radhë, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.
“Ditën e parë do marrë detyrën do t’i kërkoj qytetarëve që të mbajnë maskë për 100 ditë me radhë. Jo gjithmonë, por vetëm 100 ditë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se beson se do të kishte një zvogëlim të ndjeshëm të rasteve të COVID, nëse të gjithë amerikanët do mbajnë maskën. “Unë mendoj se do të shohim një ulje të konsiderueshme të rasteve nëse mbahet maska”, shtoi Biden.
Presidenti i zgjedhur në një intervistë shtoi se kur të marrë detyrën do urdhërojë që maska të mbahet dhe në ambientet e punës.
SHBA është një nga vendet më të prekura nga COVID, pasi ka regjistruar 14.1 milionë raste dhe 276,000 vdekje.