Nga 0-2 në 4-2. Milani i Piolit (trajneri u rikthye në stol pasi mposhti koronavirusin), pëson, vuan, pastaj ngrihet dhe kthehet si i papërmbajtshëm. Ndodhi në sfidën ndaj Celtic, duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/16-ave të Europa League-s. Objektivi i parë i kuqezinjve në këtë sezon u arrit dhe Pioli sigurisht që është i kënaqur: “Celtic kishte pak për të përmirësuar nga pikëpamja e klasifikimit, por kundërshtarët tanë kërkonin të merrnin një rezultat të rëndësishëm. Në Europë, ne luajmë me intensitet të lartë. Na pëlqejnë këto ndeshje dhe jemi shumë të kënaqur me reagimin që ka pasur ekipi. Në momentin tonë të veçantë është e rëndësishme të kemi mundësinë për të vijuar dhe besuar në Europa League. Ne kemi kënaqësinë të luajmë së bashku për të dhënë më të mirën tonë. Duhe të jemi ambiciozë,” – deklaroi trajneri kuqezi për “Sky”, i cili lëshoi edhe një batutë për fillimin katastrofik të takimit ndaj Celtic, ku Milani pësoi dy gola naivë.
“Djemtë donin të më testonin nëse do të isha shëruar mendërisht. Ne jemi shumë të mirë në gjetjen e shtysës për t’u përpjekur që të rritemi dhe kjo është një nga ato ndeshje. Ishte një mësim i vlefshëm për ne. Nuk është ve lehtë të rikuperosh dy gola.”
Në lidhje me kthimin e Zlatan Ibrahimovicit në dispozicion, Pioli nuk dëshiron të bëjë hapa të gabuar.
“Që Ibra është një lojtar i rëndësishëm edhe kur nuk luan, kjo është e qartë. Nuk mendoj se mund të kthehet këtë të diel. Kur ke probleme me muskujt, duhet të jesh i kujdesshëm. Më mirë të kthehesh një ndeshje me vonesë sesa të humbësh shumë të tjera.”
Trajneri kuqezi nuk pranon që Milani të etiketohet si skuadra favorite për të fituar titullin.
“Interi, Juventusi dhe Napoli janë ende më të fortë se ne. Këto skuadra e nisën sezonin me objektiva më të rëndësishëm. Por ekipi ynë ka treguar se nuk është inferior ndaj askujt, ne kemi vlerat tona, vazhdojmë të mendojmë se kjo skuadër ende mund të rritet. Frika? Rreziqet për lëndime po rriten dhe temperaturat nuk ndihmojnë por kjo është njësoj për të gjitha ekipet.”